Njoftim i rëndësishëm për personat që aplikuan për subvencionim të tarifave të rrymës
Foto: Zëri / Ilustrim

Njoftim i rëndësishëm për personat që aplikuan për subvencionim të tarifave të rrymës

Aktuale November 26, 2024 - 10:30

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë personat që kanë aplikuar për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Murati në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka bërë ditur se shumica e aplikuesve kanë harruar të tregojnë se sa anëtarë të familjes janë, shkruan Zeri.info.

Murati ka thënë se “lartësia e subvencionit përcaktohet edhe nga numri i anëtarëve të familjes, është e rëndësishme që në formularin e aplikimit të shtohen të gjithë anëtarët me të cilët banoni aktualisht. Të gjithë ata që kanë harruar të shtojnë anëtarët tjerë të familjes, e kanë mundësinë që ta përmirësojnë këtë duke përditësuar aplikimin e tyre në Kosova”.

Sipas Muratit, për t’u marrë parasysh në muajin vijues, përditësimi duhet të bëhet më së largu me 30 nëntor 2024.

Njoftimi i plotë i Muratit, pa ndërhyrje:

Njoftim me rëndësi për të gjitha familjet që kanë aplikuar në programin e subvencionimit të tarifave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme:

Një numër i caktuar i aplikimeve që kemi pranuar, janë familje me vetëm 1 anëtar, që nënkupton se kryefamiljari që ka aplikuar ka harruar të shtojë anëtarët e tjerë të familjes, gjatë plotësimit të formularit.

Meqenëse lartësia e subvencionit përcaktohet edhe nga numri i anëtarëve të familjes, është e rëndësishme që në formularin e aplikimit të shtohen të gjithë anëtarët me të cilët banoni aktualisht.

Të gjithë ata që kanë harruar të shtojnë anëtarët tjerë të familjes, e kanë mundësinë që ta përmirësojnë këtë duke përditësuar aplikimin e tyre në eKosova. Për t’u marrë parasysh në muajin vijues, përditësimi duhet të bëhet më së largu me 30 nëntor 2024.

Anëtarët mund të shtohen tek pjesa e paraqitur si në vijim, dhe pasi të keni përditësuar numrin e anëtarëve, e ri-dërgoni aplikimin tuaj duke klikuar “Apliko”. /Zëri