Deputeti i Listës Guxo e pranon se s’ka koordinim në parti
Deputeti i Listës Guxo, Ekrem Mustafa, pranon se s’ka koordinim brenda subjektit të tij politik. Madje ai thotë se drejtuesit e partisë së tij, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, nganjëherë mund të mos ia qëllojnë me vendimet e tyre.
“Nuk mund të them që ka përplasje, por mosdakoordim ka, sepse dikush mendon ndryshe e dikush jo”, u shpreh Mustafa për Front Online.
I pyetur se a ka ndryshuar qasja e ministrit Peci e ministres Gërvalla karshi deputetëve të Guxo, Mustafa pranon se qasja nuk është e njëjtë.
Deputeti Mustafa madje shprehet se Peci e Gërvalla ndonjëherë nuk ja qëllojnë.
“Secili i sheh edhe interesat e veta. Edhe liderët politik i kanë qëllimet e veta. Edhe Peci edhe Gërvalla mendojnë të bëjnë më të mirën, por nganjëherë nuk mund të ia qëllojnë. Qasja ndryshon me kohë dhe nuk mund të jetë çdo herë njëjtë”, deklaroi Mustafa
Megjithatë, me bashkëpartiakun e tij nuk pajtohet deputeti tjetër i Listës Guxo, Haxhi Avdyli.
“Nuk ka ndërrim të qasjes nga Peci e Gërvalla. Askush nuk ka shkuar për çështje personale me LVV-në. Të gjithë bashkërisht me presidenten Osmani jemi bashkuar për qëllime më madhore”, tha Avdyli.
Sipas Avdylit, nëse kishte me qenë në pyetje arsyeja personale bashkimi me LVV-në nuk do të ndodhte.
Ai thotë se ky bashkëpunimi LVV - Guxo do të vazhdojë edhe më tutje.
“Për qëllime personale kishim ndejtë në klubin e vjetër politik e jo me u bashku me LVV-në. Ky bashkim do të vazhdojë sepse kemi shumë punë përpara”, deklaroi Avdyli.
Deputeti i Guxo thotë se nuk ka përçarje në këtë subjekt, por mendime të ndryshme.
“Nuk ka përçarje, por ka mendime të ndryshme të herëpashershme për procese të ndryshme. Ka dallime për çështje të caktuara. Kjo është demokracia, kemi pluralizëm të ideve dhe mendimeve”, shprehet Avdyli.