Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga prokuroria
Foto: Laura Hasani

Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga prokuroria

Aktuale November 25, 2024 - 20:54

Lidhja e mijëra kontratave njëburimore ka ngritur shqetësime për korrupsion. Mbi 1 mijë tenderë të tillë raportohet se janë në hetim nga prokuroria. Kjo edhe ka përplasur deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Njohës të drejtësisë ngritin shqetësime se tenderë të tillë mund të jepen në bazë të lidhjes familjare e jo të meritokracisë.

Mbi 1 mijë e 300 kontrata të reja një burimore të lidhura në katër vitet e fundit në Kosovë, raportohet se janë duke u hetuar nga prokuroria.

Dhënia e tenderëve njëburimorë sipas njohësve të drejtësisë është burimi kryesor i korrupsionit.

Për shkak të dyshimeve në lidhjen e këtyre tenderëve, ishte deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila në cilësinë e kryetares së Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike i kishte kërkuar informacione Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik lidhur me kontratat një burimore.

E në përgjigjen e publikuar të dielën nga ajo, thuhet se nga 22 marsi i 2021-tës deri më 1 shtator të 2024-tës janë lidhur 2 mijë e 123 kontrata të tilla.

Vlera e tyre kap shifrën e mbi 272 milionë eurove.

Mirëpo, ndaj ish-ministres Bajrami reagoi i pari i dikasterit të Financave, Hekuran Murati.

 “Shifrat e përdorura në kuadër të propagandës, për numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e tyre, përfshijnë të gjitha institucionet - qeverinë qendrore, institucionet e pavarura, komunat, dhe ndërmarrjet publike. Prandaj edhe përdorimi i këtyre shifrave duke thënë se janë qindra miliona euro e mijëra kontrata duke ia atribuuar qeverisë qendrore, është manipulim vetëm e vetëm për të krijuar përshtypjen te qytetari se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të madh, se përndryshe kush ka guximin të gënjejë për diçka kaq të madhe”, shkroi Murati.

Murati tha se kontrata të tilla janë lidhur edhe në të kaluarën, për ç’ka shkroi se të njëjtat duhet të hetohen po ashtu.

E këtu ai akuzoi Prokurorinë Speciale se nuk bënë hetime të tilla, pasi sipas tij nuk është e interesuar ta luftoj krimin e korrupsionin.

 “Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës”, theksoi Murati.

Ky shkrim i ministrit Murati nxiti reagimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

 “Më këtë rast, KPK dhe ZKPSH kërkojnë që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore”, thuhet nw reagimin e KPK-së.

Por me kaq, nuk mbaruan përplasjet.

Reagimet mes ministrit Murati dhe ish-ministres Bajrami vazhduan në rrjetet sociale.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi thotë se dhënia e tenderëve njëburimor lë hapësirë për korrupsion.

“Në çdo rast kur qeveria në nivel qendror apo komunat në nivel lokal e bëjnë rregull tenderat njëburimor atëherë në njëfarë mënyre janë përkrahës të korrupsionit dhe mundësive që njëfarë mënyre të privilegjohen kompani të caktuara” , tha ai.

Tutje Miftaraj tha se përmes këtyre tenderëve, kompani të afërta me pushtetin mund të privilegjohen lehtësisht.

RTK ka kërkuar informacione edhe nga prokuroria, por që nga e njëjta nuk janë përgjigjur.