AAK: Kryeministri Kurti ka ndikuar në zgjedhjen e bordeve të KRU-ve
Foto: Laura Hasani

AAK: Kryeministri Kurti ka ndikuar në zgjedhjen e bordeve të KRU-ve

Aktuale November 25, 2024 - 15:01

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përkatësisht Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore, ka thënë se shumica e bordeve të emëruara në kompanitë rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Kosovë kanë dështuar të jenë profesionale dhe shpesh janë përbërë nga individë pa përvojë të mjaftueshme në menaxhimin e sektorit të ujit.

Përmes një komunikate për media, Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore i AAK-së ka thënë se faktori që ka ndikuar në këtë situatë është roli i Qeverisë e veçmas i kryeministrit Kurti.

“Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë situatë është roli i Qeverisë, veçanërisht i kryeministrit Albin Kurti. Pavarësisht premtimeve të përsëritura për përmirësimin e gjendjes në sektorin e ujit përmes instalimit të bordeve profesionale, këto premtime nuk janë materializuar sipas pritshmërive. Në të vërtetë, përzgjedhja e kryesuesve dhe anëtarëve të bordeve shpesh është bërë pa ndjekur një proces transparent dhe të bazuar në merita profesionale”, thuhet në komunikatë.