Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, temë diskutimi mes Krasniqit e Gashit

Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, temë diskutimi mes Krasniqit e Gashit

Aktuale November 25, 2024 - 14:23

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se Gashit ia ka paraqitur shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, shkruan Zeri.info.

Krasniqi po ashtu ka bërë të ditur se nga Gashi ka kërkuar që faktori shqiptar atje të angazhohet fuqishëm për ndaljen e këtyre përndjekjeve.

Postimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:

Pata kënaqësinë e veçantë të pres në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ku folëm për zhvillimet aktuale në dy vendet tona dhe thellimin e bashkëpunimit mes nesh.

Në këtë takim, shpreha shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut – veprim ky i papranueshëm që cenon raportet tona ndërshtetërore, me ç’rast kërkova që faktori shqiptar atje të angazhohet fuqishëm për ndaljen e këtyre përndjekjeve.

PDK mbetet e përkushtuar në ruajtjen e raporteve të mira dhe fqinjësore me Maqedoninë e Veriut, sidomos me spektrin politik shqiptar në bashkërendimin e politikave të përbashkëta në të mirë të fuqizimit të shqiptarëve në rajon.

Kryetarit Gashi i urova punë të mbarë, që si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të ndihmojë në realizimin e ambicieve dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë atje. /Zëri