Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kthen “selamin” Gëzim Kelmendit
Foto: Laura Hasani

Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kthen “selamin” Gëzim Kelmendit

Aktuale November 25, 2024 - 13:07

Gëzim Kelmendi nga partia “Fjala” u ka bërë ftesë publike të garojnë bashkë për zgjedhjet e 9 shkurtit Eman Rrahmanit, Visar Korenicës e Ferid Aganit.

Megjithatë, forma e kërkesës përmes rrjeteve sociale duket se nuk i ka bërë fare përshtypje Rrahmanit nga “Lëvizja për familjen”.

“Unë e pashë statusin e tij në rrjetet sociale. Ne kemi kontakt, kemi adresë. Nuk i kuptoj kërkesat e tilla, qasjen e tillë për bashkëpunime. Ne nuk funksionojmë me statuse. Mua nuk më ka kontaktuar askush. Por, nëse, e them nëse … ai bën kërkesë në formën e duhur atëherë do ta diskutojmë brenda partisë”, ka deklaruar Rrahmani për IndeksOnline.

Ndërkaq, Rrahmani është pyetur edhe rreth deklaratave të kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli, pasi ai një ditë më parë ka shprehur pakënaqësi për mungesën e bashkëpunimit brenda këtij koalicioni.

“Koalicioni jonë është duke funksionuar është në editim edhe unë mundem me fol për angazhimin tim, dhe a qëndron a largohet dikush është vendim i secilit. Nuk ka diçka jashtë asaj për çfarë jemi dakordu. Për ata nëse dikush ka ftohje, mundeni me kontaktu ata, na jemi në rregull jemi duke u marrë me aktivitete”, ka deklaruar Rrahmani

Rrahmani ka mohuar të ketë përçarje, derisa është zotuar se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë si koalicion.

“Absolutisht nuk është diskutuar puna e posteve. Deri sot jemi bashkë dhe besoj se bashkë do të jemi edhe në zgjedhje dhe nuk ka diskutime brenda koalicionit “Lëvizja për familjen”, Pardia e Drejtësisë dhe AKR-ja do të jenë bashkë”, ka theksuar Rrahmani.

Vlen të përmendim faktin se gjithë kjo iniciativë politike lindi për shkak të pakënaqësive të Rrahmanit dhe Korenicës me disa nisma ligjore të qeverisë Kurti, përfshirë Projektkodin civil, me të cilin zyrtarizohen bashkësitë civile të seksit të njëjtë. Megjithëkëtë, ky projektkod civil nuk është votuar gjatë kësaj legjislature, me gjithë insistimin e kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë.