Gjuha e papërshtatshme e qeveritarëve në adresime publike, a mund të ketë një kod të sjelljes?
Si i nevojshëm po shihet rregullimi i gjuhës së qeveritarëve nga një kod i sjelljes. Kjo pas shpeshtimit të rasteve ku anëtarët e Qeverisë përdorin fjalor joadekuat në adresime publike.
Të herëpashershme ishin rastet kur qeveritarët përdorën gjuhë jo të përshtatshme.
Ndaj tyre pati kritika të vazhdueshme nga shoqëria civile, për kujdes të shtuar bazuar në rolin e tyre institucional.
Por përveç kësaj, konsiderohet se tanimë është një domosdoshmëri që sjellja dhe gjuha e qeveritarëve të rregullohet përmes një kodi.
“Nevoja për një kod të sjelljes për anëtarët e Qeverisë është jashtëzakonisht e madhe, për arsye se në secilin demokraci të konsoliduar kanë kode të sjelljes të cilat i rregullojnë mënyrën se si sillen anëtarët e Qeverisë, e gjithashtu në to llogaritet dhe parashikohet mënyra e gjuhës apo shprehjes së anëtarëve të Qeverisë. Gjithherë duke pasur parasysh edhe lirinë e shprehjes, ku kodi i sjelljes vendos disa kufizime për secilin anëtar të Qeverisë”, thotë për Teve1, Melos Kolshi nga IKD-ja.
Por ka skepticizëm se si mund të rregullohet në aspektin ligjor një kufizim i tillë.
Gjuhë me fjalë të papërshtatshme, nga ana e politikanëve paraqitet edhe në rrjete sociale.