Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vazhduar përplasjen e saj virtuale me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Bajrami e Murati gjatë ditës së djeshme, përmes postimeve në rrjetet sociale, drejtuan akuza ndaj njëri tjetrit lidhur me procedurat e prokurimit për kontratat njëburimore.
Ishte fillimisht ministri Murati ai i cili akuzoi opozitën për shpifje e propagandë lidhur me këtë temë.
Murati e përmendi gjithashtu faktin se vitet e kaluara kanë shënuar nivele më të larta të përdorimit të kësaj metode, duke përmendur vitet 2008 dhe 2015, kur në qeverisje ishte koalicioni PDK-LDK.
E pas kësaj ka reaguar deputetja Hykmete Bajrami. Bajrami ka paraqitur të dhëna konkrete për kontratat e lidhura në periudhën 22 mars 2021 – 1 shtator 2024, të cilat janë të disponueshme për publikun.
“Ku janë shpifjet? Ku është propaganda?” pyeti Bajrami në reagimin e saj, duke iu drejtuar ministrit Murati. Ajo theksoi se të dhënat janë të qarta dhe të verifikueshme.
E pas kësaj ka reaguar sërish ministri i Financave, Hekuran Murati.
Murati ka shkruar se Bajrami është zmbrapsur.
Ministri tutje ka shtuar se me deputeten Bajrami dallimin e kanë tek fakti se kontratat e negociuara janë të ligjshme, ndërkaq për Bajramin dhe një pjesë të opozitës janë të paligjshme dhe hajni.
Por kjo përplasje nuk mbaroi këtu. Deputetja Hykmete Bajrami i është kundërpërgjigjur sërish ministrit Murati.
Bajrami ka shkruar se të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg.
“Hekuran, unë nuk zmbrapsem asnjëherë. Por, për mua politika nuk është skenë, unë kur reagoj kundër korrupsionit nuk jam në rol, mua askush nuk me shkruan skenar as statuse.
Unë bëj detyrën time sipas besimit të qytetarëve, që e kam marrë në pesë palë zgjedhje.
Pra për dallim prej teje unë nuk mbroj askënd, sipas meje të gjithë të korruptuarit pa dallim duhet të përfundojnë në burg”, ka shkruar Bajrami.