Mesazhet e Ramës në Londër, kontributi i komunitetit prej 200 mijë shqiptarësh në shtetin ishull

Mesazhet e Ramës në Londër, kontributi i komunitetit prej 200 mijë shqiptarësh në shtetin ishull

Aktuale November 24, 2024 - 12:09

Londra është ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama në turin me diasporën.

Nga momenti në moment në “Queen Elizabeth Olympic Park” ndërtuar si pjesë e lojërave olimpike të Londrës në 2012, në një sallë me një kapacitet mbi 4.500 vende pritet nisja e këtij takimi.

Ky ambient ndodhet në Lindje të kryeqytetit britanik, ku prej vitin 1998 janë vendosur me mijëra shqiptarë të cilët kanë emigruar në shtetit ishull.

Dy pritet të jenë mesazhet e kryeministrit Edi Rama. Ftesa për Shqiptarët e Britanisë për tu përfshirë në zgjedhjet parlamentare të 2025.

E në fakt dy shqiptarë të suksesshëm atje si mjeku Kristo Papa dhe biznesmeni Ervin Mulaj organizues i këtij takimi të sotëm, kanë shprehur dëshirën të jenë pjesë e listës së kandidatëve të PS për zgjedhjet e ardhshme.

Sikurse ftesa për investuar në vendin e tyre e sidomos në veriun e Shqipërisë, ku është origjina e të më së shumtëve, shqiptarë në Britaninë e Madhe.

Mbetet për tu parë se çfarë mesazhet do të përcjellë kryeministri për ata mijëra shqiptarë të cilët mbërritën ne 2022 me gomone, të cilët vijojnë të jenë pa leje qëndrimi dhe subjekte kapje e dëbimi, nga Agjencia britanike e kufirit dhe emigracionit.

Muhamed Veliu ish-korrespondent i Top Channel në Londër thotë se “në Britani jetojnë rreth 200.000 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ku ata japin kontributin e tyre në Britaninë e Madhe në shumë fusha”.

Pedagogë shqiptarë si Lea Ypi apo Andi Hoxhaj, janë përfshirë në jetën akademike dhe të mësim dhënies në institucionet prestigjioze si London School of Economics apo Kings Kolege përfshi universitete të tjera.

Në mjekësi ku shumë mjekë shqiptarë prej vitesh punojnë në sistemin kombëtar të shëndetësisë.

Nuk mungojnë shqiptarët e shumtë të punësuar në sistemin financiar dhe bankar në atë që njihet si City of London zemra e motorrit ekonomik të Britanisë së Madhe.

Shqiptarët janë kontibues edhe në sistemin e drejtësisë ku prej shumë vitesh Diana Syziu punon si avokate ndërsa Klentiana Mahmutaj si baristere.

Përfshi rendin dhe sigurinë, ku janë të shumtë shqiptarët e punësuar në policinë Metropolitane të Londrës.

Rita Ora dhe Dua Lipa me suksesin e tyre botërore mbeten krenaria e komunitetit shqiptarë atje.

Pa harruar yllin e kombëtares shqiptare Armando Broja i cili megjithëse ka lindur në Londër gjithmonë flet me krenari për origjinën nga Kopliku Shkodrës.

E ndërsa shqiptarët japin kontributin e tyre në shoqërinë britanike, mediat e vendit ishull ia kanë dalë të ndërtojnë steriotipin se shqiptarëve kriminelë dhe problematikë.

Megjithëse një pakicë e këtij komuniteti janë përfshirë në krim të organizuar ata dominojnë titujt e medias britanike. /TCH