Refuzohet kërkesa e Pjetër Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës

Refuzohet kërkesa e Pjetër Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës

Aktuale November 22, 2024 - 22:57

Gjykata Speciale ka njoftuar se Trupi Gjykues i ka refuzuar kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë Pjetër Shalës mosparaqitjen e tij në seancën e shpalljes së Urdhrit për Zhdëmtim më 29 nëntor ose shtyrjen e datës së seancës.

Në njoftimin e Speciales bëhet e ditur se Trupi Gjykues ka konstatuar se prania e të akuzuarit në këtë seancë është e përligjur sipas Ligjit dhe Rregullores, përcjell Klankosova.tv.

“Më 22 nëntor, Trupi Gjykues I refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë Pjetër Shalës mosparaqitjen e tij në seancën e shpalljes së Urdhrit për Zhdëmtim më 29 nëntor ose shtyrjen e datës së seancës. Trupi Gjykues konstatoi se prania e të akuzuarit në këtë seancë është e përligjur sipas Ligjit dhe Rregullores”.

“Trupi Gjykues konstatoi se argumenti i Mbrojtjes, duke cituar vizitat e planifikuara të Shalës si rrethana të jashtëzakonshme, nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij apo shtyrjen e seancës. Megjithatë, bazuar në kohëzgjatjen e shkurtër të parashikuar të seancës gjyqësore, Trupi Gjykues udhëzoi Zyrën Administrative që të lehtësojë organizimin e vizitave të Shalës në atë ditë për aq sa është e mundshme”, thuhet në njoftimin e Speciales./klankosova