Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së
Foto: Laura Hasani

Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së

Aktuale November 22, 2024 - 19:34

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, siç kishte paralajmëruar, ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kryetarit të FR të LDK-së, Paris Guri, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj partie.

Peci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “sipas ekipit të ekspertëve tanë këta dhe LDK-ja konsumuan këto vepra penale si mashtrimi, shtytja në lajmërim apo kallëzim të rremë, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe shantazh!”

“Të lartpërmendurit, deshën të konstruktojnë fabrikime duke tentuar t’i shtyejnë fermerët të deklarojnë se përkrahja e marrë në mënyrë meritore, nuk ishte e tillë, por e përfituar me anë të ryshfetit!”, ka shkruar Peci.

Ai ka thënë se “njollosja e fermerëve meritorë e qeverisjes transparente, nuk kalon!”.

Ndryshe, ministri Peci ditëve të fundit ka qenë në shënjestër të sulmeve nga opozita, por edhe një pjesë e mediave,  duke e abuzuar për keqpërdorime dhe nepotizëm në shpërndarjen subvencioneve.