KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku në “Shpatën e Artë”
Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës, do të zhvillojnë stërvitjen e përbashkët “Shpata Artë 2024”, në kampin “Vrelo” (Prishtinë), deri në 25 nëntor 2024.
KFOR-i ka njoftuar se stërvitja do të testojë zbatimin e procedurave të menaxhimit të krizave, në skenarë të ndryshëm sigurie. Ai do të përfshijë rreth 600 personel dhe asete në të gjithë zonën e stërvitjes në Prishtinë, si dhe në rrethinën e saj dhe përgjatë rrugëve kryesore.
Tutje thuhet se banorët vendas mund të shohin një rritje të përkohshme të trafikut rrugor.
“‘Shpata e Artë’ është një tjetër demonstrim i prekshëm i KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, që punojnë së bashku, në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftim. /Zëri