Hovenier: Jemi me ju për të siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme
Foto: Laura Hasani

Hovenier: Jemi me ju për të siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme

Aktuale November 22, 2024 - 14:58

Gjykata Supreme e Kosovës ka lansuar udhëzuesin për matjen e dënimit.

Një mbështetje të madhe në këtë drejtim e ka dhënë Ambasada Amerikane.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se zyrtarët gjyqësorë të Kosovës po vazhdojnë të jenë shembull për shtetet e rajonit, duke integruar udhëzimet në kornizën e drejtësisë penale.

“Miratimi i këtyre udhëzimeve është vetëm një hap fillestar, puna e vërtetë fillon me vënien në fuqi të këtyre udhëzimeve. Raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi gjyqësor i Kosovës ende shpesh shqipton dënime joproporcionale, duke nënvizuar nevojën për këto udhëzime”, tha Hovenieri.

Ai ka thënë se SHBA-ja përdor udhëzues të ngjashëm prej shumë vitesh, e megjithatë sipas tij mëson çdo ditë se si t’i rregullojë këta udhëzues.

Hovenieri ka nënvizuar se këta udhëzues kanë pasur sukses në uljen e dënimeve joproporcionale në SHBA.

Ai ka thënë se dëshiron ta përfundojë fjalimin e tij me diçka për të cilën tha se shpreson se do të “pajtohen të gjithë ata që janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës”.

“Që para Pavarësisë së Kosovës, SHBA-ja ka qenë aty me juve. Siç e shohim edhe sot, jemi ende me ju për të siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme, dhe do të vazhdojmë të jemi me juve edhe në të ardhmen”, ka thënë ambasadori.