Sërish dështon votimi i buxhetit në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Sërish dështon votimi i buxhetit në Prishtinë

Aktuale November 22, 2024 - 14:21

Për të tretën herë ka dështuar votimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në seancën e Kuvendit Komunal të premten.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk ishte prezent në seancën e jashtëzakonshme për buxhet, të cilin e thirri vetë.

Prezent nuk ishte as në seancën e paraprake të rregullt, ku pikë e rendit të ditës ishte buxheti.

Opozita disa herë kërkoi të dijë pse kryetari nuk ishte prezent, e për këtë nuk dhanë përgjigje dy nënkryetarët, Alban Zogaj dhe Jehona Lushaku, të cilët ishin brenda në sallë, por qëndruan të heshtur.

Në këtë mënyrë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kundërshtuan të qëndrojnë në sallë për ta votuar buxhetin, “kur në seancën e jashtëzakonshme mungon kryetari, i cili vetë e ka thirrur seancën”.

Pasi asamblistët e LVV-së dhe të PDK-së lëshuan sallën, vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme u pamundësua shkaku i mungesës së kuorumit.