Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend
Fjalimi vjetor i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka kaluar pa komente dhe reagime nga analistët politikë.
Analisti Imer Mushkolaj, duke komentuar fjalimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani në Kuvend, ka theksuar se ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Mushkolaj ka theksuar se Osmani, e cila ka fituar postin e presidentes me ndihmën e Kurtit, në këtë fjalim ka shfaqur pozita të kundërta nga aleanca që kishte pasur me të.
“Zonja Osmani sot këtë fjalimin që e mbajti në Kuvend e kishte ekskluzivisht si goditje ndaj Kurtit. Albin Kurtit me të cilin ajo ka fituar vota dhe me ndihmën e të cilit ajo është zgjedhur presidente. Për ndrysh enjë fjalim vjetor e presidentes do të duhej të përfshinte edhe aspekte tjera jetës në Kosovë. Ajo nuk është aty presidenten vetëm për dialogun, as për dialogun, as për me na i mbajt marrëdhëniet me aleat, as për me na dhënë këshilla se qysh me u sill ne me aletë, nuk është ka edhe përgjegjësi tjera. Ajo ka përgjegjësi edhe për politikën e jashtme, edhe nuk e tha asnjë fjalë në kuptimin se çfarë do të duhej të thoshte”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ai ka theksuar se Osmani, në vend që të fliste si presidente e Kosovës, e kishte marrë këtë mundësi për të vepruar si opozitë ndaj Kurtit.
“Ajo duhej të fliste për korrupsionin, stagnimin ekonomik, zhvillimor e të tjera. Pra ajo sot u tregua një presidente e cila nuk foli si presidente, por si Vjosa Osmani, duke dalë si një opozitë e Albin Kurtit, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohë ka qenë aleatja më e madhe e tij”, ka deklaruar Mushkolaj, në Debat Plus.
Analisti Gëzim Kasapolli i konsideroi deklaratat presidentes si të vonshme duke thënë se fjalimi e ka huqur datën.
“Të flasësh për parime nga ana e presidentes, më së paku është hipokrizi, sepse ajo e ka ditur që në fillim çka përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje dhe cili është kauza e zotit Kurti. Të flasësh për ruajtjen e aleancave kur ke suportuar një parti, e cila ka sulmuar edhe vet ambasadoren amerikane është më tepër se sa poshtëruese. Të ilustrosh për hir të votave një person si Hugo Chavez, pastaj t’ia japësh mbështetjen e parezervë për marrjen e pushtetit, unë besoj se tregon diçka për karakterin e zonjës Osmani”, tha ai, për RTV21.
Analistja Alma Lama tha se deklaratat e presidentes ishin të vona.
”Fjalimi i saj i sotëm që përmban disa të vërteta. I ngjan më shumë tentativës ose hyrjes së presidentes në fushatën elektorale, sesa përgjegjësisë politike dhe kushtetuese që e ka pasur prej 4 vitesh. Dëmtimi i raporteve me aleatët është dashur të evidentohet dhe të distancohet prej momentit kur janë shfaq tendencat, tani në fund ta mandatit është vonë”, tha Lama.