Bislimi në Poloni takon kryetaren Pomaska, flasin rreth rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së
Foto: ZKM

Bislimi në Poloni takon kryetaren Pomaska, flasin rreth rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së

Aktuale November 21, 2024 - 19:06

Vizita e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Poloni, filloi përmes një takimi me Kryetaren e Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian në Parlamentin e Polonisë, Agnieszka Pomaska, zhvilluar në ndërtesën e Parlamentit të Polonisë.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se ata kanë biseduar mbi fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Aty thuhet se Bislimi ka veçuar mbështetjen në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian si dhe përkrahjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Rreth rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së, zëvendëskryeministri ka theksuar avancimin dhe progresin e shënuar nga Kosova, siç thuhet në komunikatë, në katër vitet e fundit dhe synimin tonë për ecjen përpara në këtë proces, “përmes marrjes së pyetësorit dhe rrjedhimisht statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në dritën edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së që do ta kryesojë Polonia nga 1 janari 2025”.

Bislimi gjithashtu ka potencuar se Kosova ka njohur progres ekonomik dhe demokratik, përkundër barrierave me të cilat jemi përballur.

“Trajtoi dhe punën e zhvilluar në kuadër të Planit të Rritjes, arritjen e liberalizimit të vizave dhe potencialin zhvillimor të vendit. Nga ana e saj, znj. Pomaska shprehu mbështetjen e Polonisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit si dhe tha se Polonia e ka përkrahur Kosovën që nga pavarësia e saj dhe vijon ta bëjë këtë edhe sot”.

“Në vijim, u theksua synimi i përbashkët për fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Polonisë dhe zgjerimi i fushave të bashkëpunimit”, thuhet tutje në komunikatë.