Osmani: Ia dalim kur qytetari ndihet krenar për shtetin dhe vlerat e tij, jo për shkak të një personi ose grupi politik
Presidentja Vjosa Osmani është duke mbajtur fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës.
Ky është viti i katërt që Osmani po mban fjalim në Kuvend në cilësinë e presidentes së Kosovës.
Në fjalimin e sajOsmani tha se misioni i saj është për të udhëhequr vendin tonë përpara për ta fuqizuar shtetin e për të shtuar aleanca.
Ajo tha se ia dalim si institucione kur qytetarët thonë se janë krenarë për vendin tonë, për vlerat që shteti përfaqëson, si dhe për mundësitë që ofron, e jo kur për shkak të ndonjë personi ose grupi politik, transmeton Zeri.info.
“Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetin tonë, për të shtuar aleancat dhe për të qenë vesh e sy, si dhe mbështetje për secilin qytetar. Momenti kur mund të themi se vërtet ia kemi dalë është momenti kur qytetarët tonë do të thonë; jemi krenarë për vendin tonë, për vlerat që ai përfaqëson, si dhe për mundësitë që ofron, e jo për shkak të ndonjë personi ose grupi politik, ky është nderi më i madh që mund t’ia bëjmë shtetit tonë”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se sot më shumë se kurrë na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, i cili shkon përtej ndasive politike, është patriotizëm që na bashkon, sepse besojmë në të ardhmen e vlerave të ndërtuara që na bashkojnë.
“Ajo që dëshmon më së miri zhvillimin e pjekurinë e shtetit tonë, është momenti kur ne sigurohemi kur politikat tona pasqyrojnë atë që është e drejtë, e jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë, e jo në interes të votave të një palë zgjedhjeve, atë që e ngrit shtetin tonë lartë, e jo që i ngrit numrat në sondazhe”, tha Osmani. /Zëri