Canaj: Kurti nuk e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese

Canaj: Kurti nuk e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese

Aktuale November 20, 2024 - 23:51

Blerim Canaj, ish-ambasador i Kosovës në Gjermani, dhe njohës i rrethanave politike, tha se kërkesa e BE-së për krijimin e Asociacionit, nuk është diçka e re dhe diçka e papritur. Por sipas tij, kryeministri Kurti heziton ta dërgojë në Kushtetuese, sepse siç theksoi ai, është kohë fushate dhe do t’i kushtonte shumë në vota.

Lidhur me kërkesën e BE-së që draft-statuti të dërgohet në Kushtetuese, Canaj shprehu dyshimet që Gjykata Kushtetuese do ta aprovonte një draft të tillë ku përmendet Arbitrazhi, që sipas tij është antikushtetuese, sikurse edhe përmendja e "Rezolutës 1244".

Duke folur për Asociacionin, Canaj tha se me këtë jemi futur në një kurth, sepse, sipas tij, njohësit e kushtetutës thonë se në zotimet në Bruksel është krijuar njëfarë kushtetute formale për pakicën serbe në Kosovë.

Arsyetimet e hezitimit të dërgimit të draft-statutit për Asociacionin në Kushtetuese, Canaj i ndërlidhë me kohën e fushatës zgjedhore.

“Kurti, si opozitar, Asociacionin e ka paraqitur si demon...dhe tani nëse bën një hap në drejtim të implementimit të tij, atëherë do t’i kushtonte shumë në zgjedhje me anë të votës”, deklaroi Canaj në RTK.