A mund të rishikohet Ligji për Këshillin e Sigurisë pasi presidentja tha se cenon sigurinë kombëtare?
Foto: Laura Hasani

A mund të rishikohet Ligji për Këshillin e Sigurisë pasi presidentja tha se cenon sigurinë kombëtare?

Aktuale November 20, 2024 - 22:02

Presidentja Osmani ktheu për shqyrtim në Kuvend dy ligje, një nga to ishte ai për Këshillin e Sigurisë. Në arsyetimin e të parës së shtetit thuhet se cenon rëndë sigurinë kombëtare. Ky veprim i saj po mirëpritet nga opozita e njohës të fushës.

Presidentja, Vjosa Osmani për herë të parë gjatë mandatit të saj ka kthyer ligje në Kuvendin e Kosovës për rishikim.

Bëhet fjalë për Ligjin për Këshillin e Sigurisë, ku presidentja ka refuzuar ta dekretojë një ligj të tillë për shkak se ka vlerësuar se cenon sigurinë kombëtare.

“Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, respektivisht kreun II me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme. Si rrjedhojë e kësaj dhe mungesë të një ligji tjetër në fuqi i cili do të rregullonte këtë fushë, funksionimi i Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i pa rregulluar, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë.”

Këtë veprim të presidentes po e përshëndesin edhe nga opozita.

Deputetja Ganimete Musliu thotë se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj këtij ligji, derisa kërkon reflektim nga ana e ekzekutivit.

“Ata që e kanë hartuar dhe kanë bërë plotësim-ndryshimin e ligjit e kanë ditur saktësisht se çka duan të arrijnë me këtë ligj. Ndërsa deputetët e shumicës parlamentare janë thjesht një makineri votuese e cila i bindet kreut të LVV-së dhe voton pa u ndalë me studiu materien e ligjit dhe pa mendu për dëmet që ia shkakton Kosovës, jo rastësisht kemi një shumicë parlamentare të tillë”, ka thënë ajo për Teve1.

E nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se ky veprim i Osmanit është i domosdoshëm dhe brenda mandatit të saj.

Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala tregon procedurat në rast se Kuvendi vendos ta miratojë të njëjtin projektligj pa ndryshime.

“Presidentja e Kosovës është palë e autorizuar për Gjykatë Kushtetuese dhe që në rastin konkret nëse Kuvendi nuk reflekton, e unë besoj që do duhej të reflektonte përballë kësaj situate atëherë Presidentja si palë e autorizuar mund ta iniciojë rastin për vlerësimin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.

Tëvë1 për këtë çështje ka tentuar të marrë një qëndrim nga qeveria, porse gjatë ditës të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, Osmani ka kthyer për shqyrtim edhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit duke përdorur të drejtën e vetos.