Qeveria e deklaron prioritet mirëqenien e fëmijëve, premtohet avancim i të drejtave të tyre
Foto: Laura Hasani

Qeveria e deklaron prioritet mirëqenien e fëmijëve, premtohet avancim i të drejtave të tyre

Aktuale November 20, 2024 - 13:55

UNICEF-i dhe BE-ja në Kosovë kanë shënuar Ditën Botërore të Fëmijëve – në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se gjatë mandatit të saj ka adresuar çështjen e të drejtave të fëmijëve.

Po ashtu Haxhiu ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë me miratimin e buxhetit të shtetit 2025 ka rritur subvencionimin e organizatave joqeveritare nga 1.5 milion në 2.5 milionë euro.

“Sot uroj që ta shfrytëzoni këtë mbledhje të adresoni të gjitha çështjet që keni. Si ministre nuk do të mund të paramendoja një situatë pa bashkëpunimin me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Si Qeveri kemi punuar me prioritete, të cilat fuqizojnë familjen duke e mbrojtur atë po ashtu duke e avancuar të drejtat e fëmijëve. Pjesë e kësaj reforme do të jetë edhe kujdesi dhe mirëqenia sociale. Fëmijët e cenueshëm që nga momenti kur kemi marrë adresimin me përkushtimin maksimal kemi qenë të angazhuar dhe në këtë drejtim ne kemi hartuar ligjin e ri. I kemi adresuar të gjitha aktet nënligjore për të drejtat e fëmijëve. Buxheti për subvencionimin e organizatave vendore nga Ministria e Drejtësisë ka qenë 1.5 milion, ndërsa me miratimin e buxhetit të shtetit 2025, subvencionimi do të rritet në 2.5 milionë euro”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se dëgjimi i zërit të fëmijëve është e rëndësishme në vendimmarrje dhe politikëbërje.

“Në këtë ditë zhvillojmë një sërë aktivitetesh, në ditën ndërkombëtare të fëmijëve ne e ri aprovojmë angazhimin që kemi për fëmijët. Diskutuam për tematikën e zgjedhur e cila është rëndësia e dëgjimit të fëmijëve. Jam e gatshme t’ju dëgjoj me vëmendje, sigurohemi që të jeni pjesë e vendimmarrjes, jam e gatshme të dëgjoj nga ju idenë më kreative. Me ide të tilla politika ka gjithë përfshirje dhe zbatueshmëri më të madhe. Në këtë vit, MASHTI hap javën kundër braktisjes së fëmijëve me aktivitete dhe fushata që të mos ketë raste të braktisje”, ka thënë Nagavci.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se për të mbrojtur fëmijët janë bërë disa dokumente të rëndësishme, siç është Konventa për të Drejtat e Fëmijëve.

“Sot më 20 nëntor është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë ne sepse para shumë vitesh janë miratuar shumë dokumente, siç janë deklarata e të drejtave të fëmijëve dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Këto dokumente nuk janë arsye pse jemi këtu sot ne, jemi sot për juve fëmijë. Të gjithë ata që do të flasin para jush janë këtu për ta mbështetur të ardhmen tuaj. Jam krenar ta shoh këtë mbështetje që ka për synim mbrojtjen e fëmijëve. Më është thënë që Kosova ka përfunduar kornizën legjislative për të drejtat e fëmijëve të cenueshëm dhe fëmijët që kanë nevojë për asistence sociale. Kam besim që do t’i siguroni fëmijët e cenueshëm”, ka thënë Oravi.

Shefja e Zyrës së UNICEF-it, Veronika Vashchenko, ka theksuar se e ardhmja e fëmijëve varet nga aftësia jonë për t’i dëgjuar ata.

“Teksa festojmë këtë ditë, duhet të kujtojmë se të drejtat e fëmijëve janë të panegociueshme. E ardhmja e fëmijëve varet nga aftësia jonë për t’i dëgjuar ata dhe për t’i dhënë prioritet mirëqenies se tyre në çdo vendim që marrim”, tha Vashchenko.

Avokuesit e rinj, Esra, Bekimi dhe Adriatiku, patën mundësinë të paraqesin pikëpamjet e tyre për fushatën “Zgjidh nyjën”, lëvizje për përfshirje më të madhe të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara.