“Thaçit dhe të tjerët”, dëshmitari i 105-të: Më akuzuan se kam vrarë shqiptarë, ishte justifikim për ndalimin tim

“Thaçit dhe të tjerët”, dëshmitari i 105-të: Më akuzuan se kam vrarë shqiptarë, ishte justifikim për ndalimin tim

Aktuale November 20, 2024 - 11:12

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 105-të, i cili mban kodin W00344 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes dhe sipas kryetarit të turit gjykues, për arsyeje shëndetësore ky dëshmitarë e dha ulur betimin solemn. Ai gjatë dëshmisë në publik tha se është ndaluar dhe si justifikim për ndalimin e tij është thënë se ka vrarë shqiptarë.

“Thjesht me kanë akuzuar se kam vrarë disa shqiptarë. Nuk kishte kuptim kjo fare se ishte thjesht një arsye - justifikim për ndalimin tim”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, Cezary Mihailzcuk.

Megjithatë, përpara kësaj, prokurori lexoi një përmbledhje për dëshmitarin ku tregoi se gjatë ndalimit, i njëjti ishte rrahur dhe keqtrajtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në vitin 1999, dëshmitari 00344 u rrëmbye nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së përpara shtëpisë së tij dhe u dërgua me makinë se bashku me një tjetër person në një vendndalimi të UÇK-së, dëshmitari 00344 është mbajtur në atë vend me disa të ndaluar të tjerë. Gjatë ndalimit të tij, ai është rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe ka dëgjuar që edhe të ndaluar të tjerë janë keqtrajtuar në shumë raste”, tha ai.

Prokurori tha se dëshmitari ka pasoja fizike dhe psikologjike si pasojë e atij ndalimi dhe keqtrajtimi që iu është bërë atje.

“Dëshmitari 00344 është liruar pak ditë pasi u ndalua dhe është larguar nga Kosova disa ditë më pas. Si rezultat i keqtrajtimit të tij në ndalim, ai vazhdon edhe sot e kësaj dite që të vuaj nga probleme të ndryshime fizike dhe psikologjike”, tha ai.

Kur u pyet se a i ka thënë ndonjë njëri në ndalim se për çfarë akuzohej, dëshmitari tha se askush drejtpërdrejtë nuk ia kishte thënë një gjë të tillë.

“Jo, drejtpërdrejt nuk më kanë bërë asnjë pyetje. Thjesht me kanë akuzuar se kam vrarë disa shqiptarë. Nuk kishte kuptim kjo fare se ishte thjesht një arsye-justifikim për ndalimin tim”, tha dëshmitari.

Pjesa tjetër e dëshmisë së dëshmitari kaloi në përmbajtje të redaktuar dhe më pas seanca kaloi në private, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryegjyqtarit, dëshmia këtij dëshmitari pritet të zgjas më pak se një ditë dhe nga kjo kohë, Prokuroria ka parashtruar se i duhen vetëm një orë për pyetje.

Pyetje do të bëjë edhe mbrojtësi i viktimave, i cili ka parashtruar se i duhen rreth 15 minuta. Ndërsa, mbrojtja e të akuzuarve ka parashtruar se i duhen rreth një orë e 15 minuta.

Vlen të theksohet se me kërkesë të ZPS-së, u pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat e mëhershme të dëshmitarit së bashku me materialet përcjellëse në tri gjuhët zyrtare të gjykatës.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.