Rasti i granteve, Çeku: E mbrojta Pecin sepse edhe vet sulmohem shumë shpesh padrejtësisht
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është një nga më të përfolurit nga kabineti i Qeverisë Kurti ditëve të fundit.
Kjo për shkak të dyshimit së dhënies së disa granteve prej 100 mijë eurosh, për familjarët e partisë në pushtet dhe njerëzit e afërt me vet Pecin.
Bëhet fjalë për familjarët e deputetes së VV-së Fitore Pacollit, gjegjësisht vëllait dhe dajës së saj.
E po ashtu edhe për këshilltarin e jashtëm Naim Huruglica.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku tha se mbrojti kolegun e tij sepse shpeshherë sipas tij sulmohet padrejtësisht edhe ai.
“Një pjesë e mirë e sulmeve publike që na bëhen, sidomos nga një pjesë e medias por jo vetëm nuk e kanë për qëllim as interesin e publik, as transparencën e as mbrojtjen e parasë publike”, tha Çeku në Klan Kosova.