Tirana pa përgjigje për një mbledhje me Prishtinën
Foto: Laura Hasani

Tirana pa përgjigje për një mbledhje me Prishtinën

Aktuale November 19, 2024 - 22:41

Gjatë së hënës, Kosova dhe Maqedonia e Veriut zhvilluan për të dytën herë mbledhje të përbashkët. E në këtë konferencë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i gatshëm që të mbajë një mbledhje të radhës edhe me Shqipërinë. Nga Zyra e Kryeministrit atje nuk dhanë përgjigje nëse janë të gatshëm. Njohësit e zhvillimeve politike nga Kosova dhe Shqipëria thonë se kjo nuk po ndodhë për shkak të rivalitetit Kurti-Rama.

Për katër vite, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mbajtën dy mbledhje të përbashkëta.

E të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i gatshëm që të mbajë edhe mbledhjen e tretë në mes dy qeverive shqiptare.

Të nevojshme një takim të tillë e sheh edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi.

Porse konsideron që raportet mes Kryeministrit Kurti dhe homologut të tij Rama nuk janë në nivel për një hap të tillë.

Edhe njohësi i zhvillimeve politika nga Tirana, Ben Andoni thotë se një mbledhje e radhës është jashtëzakonisht e nevojshme.

Sipas Andonit, mbledhja e fundit ka treguar shumë diferenca në mes ekzekutivit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Teve1 ka kërkuar një përgjigje edhe nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se a janë edhe ata të gatshëm për një mbledhje të përbashkët në mes dy vendeve, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së martës.