Osmani: Nëse shteti s’i mbulon sigurimet shëndetësore të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, do e rikthej ligjin në Kuvend
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë së martës e ka ngritur çështjen e nevojës për mbulimin e sigurimit shëndetësor nga shteti për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Projektligjin për Sigurimin Shëndetësor të Detyrueshëm.
Ajo në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë zhvillimit të procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë dhe pengesat për realizimin e beneficioneve të përcaktuara me ligj, tha se shteti duhet të bëjë mbulimin e sigurimeve shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shkruan Zeri.info.
Osmani u zotua se nëse votohet kështu siç është Projektligji për Sigurimin Shëndetësor të Detyrueshëm, ajo do të detyrohet që ta rikthej në Kuvend.
“Përndryshe, në qoftë se votohet, natyrisht që si Presidente do ta shfrytëzoj mundësinë dhe do ta përdor veton që ta rikthej në Kuvend, në mënyrë që një diskriminim i tillë të eliminohet dhe shpresoj që hartuesit e ligjeve të jenë më të kujdesshëm, sidomos në raste kur kemi të bëjmë me kategori të dala nga lufta dhe siç e dini, me ligjin që vetë e kemi amendamentuar në Kuvend, dhe disa prej nesh që kemi qenë deputete në atë kohë, e dimë shumë mirë sa vështirë ka qenë që të kalohet”, ka thënë ndër të tjera presidentja Osmani, raporton tutje Zeri.info.
Sipas Osmanit, ky do të ishte një diskriminim për të mbijetuarat e dhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi që sipas saj, sipas projektligjit aktual, viktimat e dhunës seksuale mund të lirohen nga pagesa e detyrueshme për sigurime shëndetësore, vetëm nëse vërtetojnë statusin e varfërisë.
“Çështja e katërt që dua ta ngris nuk ka të bëj me Komisionin, por ka të bëj me mbështetjen në përgjithësi të mbijetuarave të dhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për momentin në Kuvendin e Kosovës është Ligji për Sigurimet e Detyrueshme Shëndetësore, pra është mbështetja shëndetësore që shteti e ka detyrim t’ua jap kategorive të caktuara pa pagesë. Sepse, siç e dini në momentin kur të hyjnë në fuqi sigurimet shëndetësore gati se të gjithë do të kenë detyrime për të paguar, siç edhe pritet, siç është edhe në shtete tjera, megjithatë ka kategori të caktuara të cilat shteti e ka detyrim t’i mbështes. Është një kategori aty që parashihet ku mbështetja e detyrueshme shëndetësore u jepet me të drejtë viktimave të dhunës mbi baza gjinore, që mund të ndodhë tani ta zëmë. U jepet mbështetje pa plotësuar do të thotë kritere të tjera, përveç që dëshmojnë statusin e tyre invalidët e luftës me të drejtë. U jepet mbështetje e detyrueshme shëndetësore nga shteti të burgosurve, sepse po supozoj arsyeja është sepse nuk kanë mundësi tjetër të marrin shërbime shëndetësore. Kurse, për viktimat e dhunës gjatë luftës kërkohen kritere shtesë, në mënyrë që atyre t’u jepet mbështetje e detyrueshme shëndetësore nga shteti, vetëm në qoftë se ato e dëshmojnë statusin e varfërisë. Kjo është diskriminuese dhe është e papranueshme. Prandaj, më lejoni që ta shfrytëzoj këtë mundësi që t’u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës që mos ta votojnë një ligj të tillë në draftin aktual. Nuk ka asnjë kuptim që viktima që dhunohet ta dëshmojë statusin e varfërisë. Mirëpo, dikush që është dhunuar gjatë luftës, të kërkohet që vetëm në qoftë se është e varfër, të marrë mbështetjen e detyrueshme shëndetësore?! Pra, në qoftë se nuk e dëshmon statusin e varfërisë, nuk po mjaftuaka që e dëshmon statusin që ka qenë e dhunuar gjatë luftës. Është situatë e papranueshme dhe shpresoj që të rregullohet para se të votohet një ligj i tillë në Kuvend. Përndryshe, në qoftë se votohet, natyrisht që si Presidente do ta shfrytëzoj mundësinë dhe do ta përdor veton që ta rikthej në Kuvend, në mënyrë që një diskriminim i tillë të eliminohet dhe shpresoj që hartuesit e ligjeve të jenë më të kujdesshëm, sidomos në raste kur kemi të bëjmë me kategori të dala nga lufta dhe siç e dini, me ligjin që vetë e kemi amendamentuar në Kuvend, dhe disa prej nesh që kemi qenë deputete në atë kohë, e dimë shumë mirë sa vështirë ka qenë që të kalohet. Personat e dhunuar gjatë luftës, të mbijetuarit e dhunuar gjatë luftës, janë kategori e dalë nga lufta. Pra, nuk ka asnjë kuptim që disa prej tyre të diskriminohen dhe të mos u jepet shërbim i detyrueshëm shëndetësor nga ana e shtetit dhe arsyeja pse e përmenda këtë është për shkak se në çdo takim që e kam me të mbijetuarat, shërbimet shëndetësore janë tema kryesore që ngrihet, sepse numri i problemeve shëndetësore me të cilat përballen është shumë, shumë më i madh, sepse dhunimi në vetvete ka shkaktuar edhe probleme enorme shëndetësore për secilën prej tyre”, është shprehur presidentja Osmani, raporton tutje Zeri.info.
Fjalimi i plotë i presidentes Osmani:
Më lejoni që fillimisht ta falënderoj Avokatin e Popullit, gjithë institucionin, por në veçanti kreun e institucionit për vëmendjen e veçantë që i kushton kësaj teme dhe së dyti t’ju përshëndes të gjithëve nga ministrja, zëvendësministrja, deputetët, udhëheqësit e institucioneve, por në veçanti udhëheqëset dhe udhëheqësit e Organizatave Joqeveritare, që për më shumë se 25 vite kanë bërë në fakt punën kryesore për dokumentimin e këtyre krimeve, por edhe mbështetjen në raport me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Përgjatë gjithë mandatit tim politik, dhe jo vetëm tani që jam në Presidencë, kjo ka qenë një ndër temat me të cilat jam marrë më për së afërmi, për shkak se në radhë të parë siç e tha Avokati i Popullit viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilat janë shumë më shumë se viktima, janë të mbijetuara të cilat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme, guxim të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha janë treguar të pandalshme në rrugën e tyre, në luftën e tyre për drejtësi, meritojnë përkrahjen tonë.
Por, e dyta, për shkak se është interes i veçantë shtetëror, që secili prej nesh ta luftojmë përpjekjen për ndryshimin e historisë. Përpjekje kjo që akoma po vazhdon nga Serbia dhe aleatët e saj.
Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë dëshmi e forcës së shpirtit njerëzor dhe e qëndrueshmërisë, pavarësisht momenteve të rënda në orët më të rënda të historisë sonë.
Secila prej këtyre rasteve nuk është thjesht një statistikë, por një jetë e ndryshuar, një histori i dhimbjes së paimagjinueshme dhe një rrugëtim drejt drejtësisë së vonuar, por të domosdoshme.
Më duhet ta pranoj se nuk është asnjëherë e lehtë për të gjetur fjalët e duhura dhe të mjaftueshme për ta nderuar forcën, qëndrueshmërinë dhe kurajon e gjithë atyre që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës. Por, ato nuk u ndalën duke u shndërruar në një prej zërave më të fuqishëm për drejtësi brenda Republikës sonë.
Atyre që kanë triumfuar mbi këto mizori dhe na kanë dëshmuar pathyeshmërinë e shpirtit të njeriut edhe në kohët më të errëta.
Dhunimet gjatë luftës fatkeqësisht janë arma më mizore që e ka njohur njerëzimi. Madje, edhe më mizore se sa dhuna është vet qëllimi i saj.
Siç e kam thënë shpesh nëpërmjet dhunës seksuale ushtria, policia serbe dhe shteti serb kishte për qëllim që të krijonte dhimbje që do të përshkonte gjenerata.
Shumë nga dhunimet siç e dini që kanë ndodhur gjatë grave në Kosovë kanë ndodhur në sytë e fëmijëve. Sepse, me këtë qëllim dëshironin ta shkatërronin një komb të tërë.
Përgjatë këtyre 25 viteve pas luftës, ne kemi mbajtur gjallë kujtimin e dhimbjes së të kaluarës, por po ashtu kemi treguar se, pavarësisht kësaj dhimbjeje, ekziston guxim, shpresë e mbi të gjitha vendosmëri e pathyeshme për drejtësi.
Heroina si Shyretja e Vasfija por edhe shumë gra të tjera të cilat vazhdojnë luftën për drejtësi, janë dëshmi e kësaj. Ato kanë ngritur zërin, u kanë dhënë forcë dhe shpresë edhe shumë të mbijetuarave të tjera dhe na e kanë rikujtuar se ne nuk duhet asnjëherë të qëndrojmë pasiv përballë padrejtësive, edhe kur ato ndodhin edhe në vende të tjera të botës.
Prandaj, si Presidente ndihem krenare për punën që po bëjnë Vasfija dhe Shyretja si të deleguara të posaçme Presidenciale, në mbështetjen e të mbijetuarave jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende si Ukraina, Iraku, në shtete të ndryshme të Afrikës, por edhe në Lindjen e Mesme.
Për më tepër, nga përpjekjet tona të vazhdueshme për trajtimin e kësaj çështjeje, Republikën e Kosovës e kanë shndërruar në referencë për tërë botën, edhe nëpërmjet Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në edicionin e fundit të këtij forumi, jehona e historive tronditëse të të mbijetuarave seksuale gjatë luftës ka kapërcyer kufijtë tanë kombëtarë.
Gjithsesi, në rrugën tonë për kërkimin e drejtësisë, ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm se kjo betejë nuk është fare e lehtë. Vet fakti që kemi aq pak raste me epilog e dëshmon këtë.
Si në shoqërinë tonë, ashtu edhe në nivel global, stigma në trajtimin e kësaj teme, vazhdon të jetë e pranishme, duke shtyrë shumë viktima drejt heshtjes së vazhdueshme, e cila rëndon shpirtin e tyre.
Fakti që përveç Shyretes dhe Vasfijes, gratë tjera akoma nuk kanë folur publikisht e dëshmon se sa e rëndë është një gjë e tillë, por po ashtu se edhe sa më shumë përpjekje duhet të bëjmë bashkërisht që t’i mbështesim ato.
Rruga për te drejtësia nuk është kurrë e lehtë dhe nuk ka mbaruar. Procesi i verifikimit që filloi para disa vitesh nëpërmjet komisionit është vetëm fillimi në mbështetje të të mbijetuarave. Kemi ende shumë punë për të bërë—punë për t`u siguruar që çdo e mbijetuar ta marrë mbështetjen dhe njohjen që u nevojitet për ta rindërtuar jetën, por mbi të gjitha që përgjegjësit krimeve të dalin para drejtësisë.
Më lejoni që përderisa po flas për Komisionin ta përmend që përkundër faktit që e vlerësojmë angazhimin përgjatë shumë viteve duhet gjithsecili prej nesh edhe të reflektojmë për shumë prej çështjeve që i ngrisin edhe vet të mbijetuarat.
E para ka të bëj me çështjen e verifikimit të statusit. Siç e dini ka një numër të madh të personave që kanë aplikuar dhe janë refuzuar. Pa dashur të paragjykoj përmbajtjen e lëndëve të tilla, është me rëndësi që ta ngrisim si çështje dhe ta diskutojmë dhe t’i identifikojmë ku janë problemet, ku janë parregullsitë, në mënyrë që puna të përmirësohet. Në punën e gjithsecilit prej nesh ka hapësirë për përmirësim, dhe në qoftë se nuk ka një vetreflektim të tillë atëherë jemi gabim. Rrjedhimisht, shpresoj që kjo tryezë, pas prezantimit të raportit të shërbejë edhe për një diskutim të tillë.
E dyta ka të bëj me mandatin e Komisionit. Siç e dini, kam ngritur zërin rreth çështjes së kufizimit të mandatit, sepse mendoj që është gabim politik, gabim juridik dhe gabim historik.
Përderisa krimi i dhunimit është pjesë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, madje edhe element i gjenocidit dhe që të tria sipas Drejtës Ndërkombëtare nuk kanë afat të parashkrimit.
Pra, akoma kemi raste ku ndiqen krimet që janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, sepse nuk parashkruhen kurrë dhe e tillë është paraparë edhe në legjislacionin tonë, atëherë edhe institucionet që merren me verifikimin e statusit të grave apo burrave të dhunuar duhet ta kenë mandatin pa afat të caktuar.
Këtë e kam ngritur, por fatkeqësisht ligji është miratuar me një mandat pesë vjeçar dhe jemi me shpresë që në momentin që ky ligj të rikthehet për rishikim në Kuvendin e ardhshëm tash po supozoj pas zgjedhjeve parlamentare që ta parasheh një ndryshim të tillë.
E treta ka të bëj me proceset e gjata në Gjykata, nga ana e personave që kanë aplikuar për verifikim janë refuzuar dhe i kanë ngritur çështjet e tyre në institucionet e drejtësisë.
Shpresoj shumë që institucionet e drejtësisë ta kenë parasysh se sa të ndjeshme janë rastet e tilla. Sa vështirë është në radhë të parë për një të mbijetuar që të kërkoj verifikim të statusit, e pas refuzimit që ta ndjek rastin në gjykata. Në vend se të kemi raste të ndjekjes në gjykata të dhunuesve, ne kemi raste kur të dhunuarat duhet të ndjekin të drejtën e tyre dhe presin gjatë, gjatë, gjatë deri në momentin që edhe iu humb shpresa që mund të kenë mbështetje në institucionet e Kosovës.
Çështja e katërt që dua ta ngris nuk ka të bëj me Komisionin, por ka të bëj me mbështetjen në përgjithësi të mbijetuarave të dhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për momentin në Kuvendin e Kosovës është Ligji për Sigurimet e Detyrueshme Shëndetësore, pra është mbështetja shëndetësore që shteti e ka detyrim t’ua jap kategorive të caktuara pa pagesë.
Sepse, siç e dini në momentin kur të hyjnë në fuqi sigurimet shëndetësore gati se të gjithë do të kenë detyrime për të paguar, siç edhe pritet, siç është edhe në shtete tjera, megjithatë ka kategori të caktuara të cilat shteti e ka detyrim t’i mbështes.
Është një kategori aty që parashihet ku mbështetja e detyrueshme shëndetësore u jepet me të drejtë viktimave të dhunës mbi baza gjinore, që mund të ndodhë tani ta zëmë. U jepet mbështetje pa plotësuar do të thotë kritere të tjera, përveç që dëshmojnë statusin e tyre invalidët e luftës me të drejtë.
U jepet mbështetje e detyrueshme shëndetësore nga shteti të burgosurve, sepse po supozoj arsyeja është sepse nuk kanë mundësi tjetër të marrin shërbime shëndetësore.
Kurse, për viktimat e dhunës gjatë luftës kërkohen kritere shtesë, në mënyrë që atyre t’u jepet mbështetje e detyrueshme shëndetësore nga shteti, vetëm në qoftë se ato e dëshmojnë statusin e varfërisë.
Kjo është diskriminuese dhe është e papranueshme. Prandaj, më lejoni që ta shfrytëzoj këtë mundësi që t’u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës që mos ta votojnë një ligj të tillë në draftin aktual.
Nuk ka asnjë kuptim që viktima që dhunohet ta dëshmojë statusin e varfërisë.
Mirëpo, dikush që është dhunuar gjatë luftës, të kërkohet që vetëm në qoftë se është e varfër, të marrë mbështetjen e detyrueshme shëndetësore?!
Pra, në qoftë se nuk e dëshmon statusin e varfërisë, nuk po mjaftuaka që e dëshmon statusin që ka qenë e dhunuar gjatë luftës.
Është situatë e papranueshme dhe shpresoj që të rregullohet para se të votohet një ligj i tillë në Kuvend.
Përndryshe, në qoftë se votohet, natyrisht që si Presidente do ta shfrytëzoj mundësinë dhe do ta përdor veton që ta rikthej në Kuvend, në mënyrë që një diskriminim i tillë të eliminohet dhe shpresoj që hartuesit e ligjeve të jenë më të kujdesshëm, sidomos në raste kur kemi të bëjmë me kategori të dala nga lufta dhe siç e dini, me ligjin që vetë e kemi amendamentuar në Kuvend, dhe disa prej nesh që kemi qenë deputete në atë kohë, e dimë shumë mirë sa vështirë ka qenë që të kalohet.
Personat e dhunuar gjatë luftës, të mbijetuarit e dhunuar gjatë luftës, janë kategori e dalë nga lufta.
Pra, nuk ka asnjë kuptim që disa prej tyre të diskriminohen dhe të mos u jepet shërbim i detyrueshëm shëndetësor nga ana e shtetit dhe arsyeja pse e përmenda këtë është për shkak se në çdo takim që e kam me të mbijetuarat, shërbimet shëndetësore janë tema kryesore që ngrihet, sepse numri i problemeve shëndetësore me të cilat përballen është shumë, shumë më i madh, sepse dhunimi në vetvete ka shkaktuar edhe probleme enorme shëndetësore për secilën prej tyre.
Pra, teksa reflektojmë për rrugëtimin e gjatë që e kemi pasur këto 25 vite, mos ta harrojmë që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë, për shkak se ndoshta më shumë se gati çdokush tjetër kanë luftuar për drejtësi, kanë luftuar për ta mbrojtur të vërtetën.
Ndaj, u detyrohemi që të garantojmë një shoqëri, ku tmerre të tilla nuk do të përsëriten kurrë, ku sundon drejtësia, por mbi të gjitha, ku ato mbështeten, mbështeten konkretisht jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete.
Në mbyllje dua t’u them të mbijetuarave: Ju nuk jeni vetëm, ne do të ecim bashkë me ju, në çdo hap të rrugës përpara, dhimbja juaj është dhimbja jonë. Lufta juaj për drejtësi është lufta jonë dhe së bashku do të vazhdojmë që të punojmë për një të ardhme, ku mbizotëron paqja dhe dinjiteti për të gjithë.
I falënderoj edhe një herë të gjithë të mbijetuarit për forcën e treguar, për guximin, por mbi të gjitha, për shpresën e palëkundur.
Sa më shumë që i bashkojmë forcat dhe zërat tanë, aq më afër do të jetë drejtësia, deri në momentin kur ajo të triumfojë.
Ju faleminderit!. /Zëri