Ekrem Hyseni tregon për themelimin, sfidat dhe të ardhmen e Onkologjisë
Onkologu Ekrem Hyseni, folur për fillet e para të Klinikës së Onkologjisë, sfidat dhe rritjen e saj.
Ndër të tjera, Hyseni ka folur edhe për terapitë, barnat e reja të cilat përdoren nga pacientët e prekur nga sëmundja e kancerit, dhe të cilat po ndikojnë në rritjen e shpresës tek ta.
Po ashtu, ai ka diskutuar edhe për mungesat e kohëpaskohshme të terapive, të cilat, sipas tij, nuk guxojnë të ndodhin në këtë klinikë.
“Zometa është një bar që përdoret për pacientët onkologjik që kanë probleme me kocka dhe ka një përdorim të gjerë. Mungesa e saj nxjerr shumë telashe, sepse një numër shumë i lartë i njerëzve tanë e përdorin. Për produktin Phesgo, produktet e reja që në i kemi në përdorim, janë produkte që vërtetë duhet me i përdor pacientët. Për to ka rekomandime brenda edhe jashtë vendit. Por çka ka rëndësi, sfida e madhe është sigurimi me kohë për të gjithë pacientët dhe e dyta përfshirja e të gjithëve në këtë trajtim”, ka thënë Hyseni.
Më tej, ai ka shtuar se një bar i cili është sot në përdorim, duhet të ketë furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm që ne t’i kemi të gjitha mundësitë që këtë bar ta përdorim siç e jep protokolli.
“Sfidat për t’i siguruar këto barna janë të mëdha. Fillimisht, kosto nuk është e vogël dhe komplikimi i protokolit të trajtimit, nëse është i çrregullt, nuk jep rezultatin e duhur. I kemi pasur si shqetësim sfidat në aplikimin e barnave të reja dhe mungesën të tyre”, ka thënë Hyseni për Nacionalen.
Madje, Hyseni ka treguar se pacientët të cilët dalin edhe jashtë vendit për të marrë një mendim të dytë për terapitë e tyre, rikthehen në Klinikën e Onkologjisë për të kërkuar këto barna, të cilat, sipas tij, fatkeqësisht ndonjëherë mungojnë pasi nuk janë të përfshira në listën e barnave esenciale.
“Normalisht, sa herë që ka opsione për trajtim me produkte të pranueshme dhe të cilat kanë përdorim të gjerë, ato duhet të përdoren. Ndërkaq, sa herë që opsionet e tilla nuk janë në dispozicion, duhet të jenë në dispozicion barnat apo linjat e reja që për pacientin janë shpresë. Po është armë e mirë e jona kundër sëmundjes bashkë me aleancën që bëjmë ne me pacientë dhe familjarë tyne”, ka thënë Hyseni.
Ndërkaq, në fund të intervistës së tij, Hyseni ka folur edhe për angazhimin e tij në politikë, në shërbim të kontributit për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend.