LDK-ja ia merr LVV-së një asamblist në Gjilan
Foto: Facebook

LDK-ja ia merr LVV-së një asamblist në Gjilan

Aktuale November 19, 2024 - 16:36

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka njoftuar se ky subjekt nga sot do ta ketë një asamblist më shumë në Kuvendin Komunal.

Ai bëri të ditur se i ka uruar mirëseardhje Ganimet Sabedinit, i cili u rikthye në familjen politike të Lidhjes Demokratike nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Si familjar i mirë, si afarist i suksesshëm dhe qytetar i ndershëm i këtij vendi, Ganimeti i bënë nder LDK-së, Grupit të Këshilltarëve dhe Gjilanit. Gjithashtu, në takimin e Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, sot u diskutuan angazhimet e përbashkëta lidhur me agjendën e fundit të Kuvendit Komunal”, tha Haziri.

Haziri tha se edhe përkundër funksionimit normal të Kuvendit Komunal dhe rolit konstruktiv të LDK-së në Kuvend, po mungon vullneti për bashkëpunim dhe ecje tutje të projekteve për Gjilanin.

“LDK po e rikthen besimin e qytetarëve, grupeve të ndryshme e shoqatave. Nga sot, rikonfirmohemi si partia më e madhe në Kuvend, me 16 këshilltarë komunalë!”, tha Haziri.