Që nga janari 2023 Kosova s’ka pasur raste të gripit të shpendëve
Bafti Murati, udhëheqës i Shëndetit të Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka thënë se Kosova nuk ka pasur raste të gripit të shpendëve tash e gati dy vjet.
Murati në emisionin “Alert” me Granit Sokolajn tha se rasti i fundit me gripin e shpendëve ka qenë një rast i izoluar në janar të vitit 2023.
“Që nga viti 2022 nuk ka pasur vatra të mëdha të gripit të shpendëve në Kosovë. Rastet e fundit i kemi pasur në tetor 2022, por mund të ndodhë që ndonjë rast i izoluar në janar të vitit 2023, por rast shumë i vogël”, tha Murati.
Në lidhje me importin e kafshëve, se a janë shtuar kohët e fundit kontrollet ose procedurat e shtrënguara në kontrollin e kafshëve të importit, për shkak të sëmundjeve në rajon, Murati tha se kontrollet shtohen sa herë që ka raporte për sëmundje ose infeksione të kafshëve nga vendet ku importohet.
“Ne i kemi bërë ndalesa prej Greqisë dhe Rumanisë, ndonëse nga Rumania nuk kemi bërë ndalesë të plotë të importit të kafshëve. Ne kemi ndaluar edhe prej shteteve të tjera si Maqedoni e Veriut ose Shqipëri, të cilat janë fqinje të Greqisë dhe mund të importohen kafshë të sëmura”, tha Murati në “Alert”. /Zëri