Kosovën e presin erëra të fuqishme, borë e acar

Kosovën e presin erëra të fuqishme, borë e acar

Aktuale November 19, 2024 - 08:02

Java në vazhdim do të pasohet me ndryshime drastike të motit dhe kushte ekstreme, që do të përfshijnë mbase edhe pjesën dërrmuese të kontinentit.

Nën dominimin e shtypjes së lartë atmosferike, të martën dhe të mërkurën, temperaturat maksimale do të jenë në ngritje deri në 14° C, përshkuar me mjegulla të dendura në viset e rrafshëta orëve të para të ditës dhe minimalet prej 0° C – 4° C.

Të mërkurën mbasdite me rënien e presionit atmosferik, moti i ndryshueshëm do të përcillet me erëra të fuqishme jugore, rrebeshe shiu të cilat me kthimin e erës në drejtimin verior do të kthehen në reshje bore orët e para të së enjtes.

Dita e premte do të karakterizohet me reshje shiu të cilat vende-vende do të jenë të intensitetit të shtuar dhe erëra të furishme jugore nga 15 – 25m/s, të cilat mund të vështirësojnë veprimtaritë normale të qytetarëve.

Orët e pasdites pritet që drejtimi i erës të ndërrojë kahje veriore, me ç’rast reshjet e shiut do të shndërrohen në të borës, e cila mund të krijojë shtresa edhe në nivelet e ulëta urbane.

Ditët e vikendit dhe fillimi i javës së ardhshme me acar tipik dimëror dhe temperatura të ulëta nën mesataret e periudhës.