Llugaliu merr pjesë në takimin e Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor

Llugaliu merr pjesë në takimin e Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor

Aktuale November 18, 2024 - 17:47

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së në Budapest.

Drejtuesit e administratave doganore nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, bashkë me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe organizatave rajonale, u takuan në Budapest për të diskutuar avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe procesin e integrimit evropian.

Kjo gjatë organizimit të Administratës Tatimore dhe Doganore të Hungarisë (NTCA) dhe përfaqësuesve të Qeverisë Hungareze, në kuadër të Presidencës Hungareze të BE- së.

“Në adresimin e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, shprehu mirënjohjen për përpjekjet e autoriteteve të Hungarisë për organizimin e këtij takimi në kohën kur procesi i integrimit ka shënuar progres me nismat siç është plani i rritjes dhe proceset tjera integurese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan në kumtesë, përcjell Klankosova.tv.

Aty tutje thuhet se Llugaliu shpalosi angazhimin e Doganës së Kosovës në ndërtimin dhe avancimin e kapaciteteve institucionale, duke kontribuar në mënyrë aktive në nismat rajonale dhe evropiane, dhe se ai prezantoi gjithashtu qasjen pro-aktive të Doganës së Kosovës ndaj sfidave të bashkëpunimit rajonal dhe atij me vendet e BE-së, duke propozuar zgjidhje konkrete që fuqizojnë lidhjen ekonomike dhe tregtare të rajonit të l Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së.

Llugaliu theksoi rezultatet e bashkëpunimit të ngushtë me Doganën Shqiptare, duke përmendur suksesin e zhdoganimit në Portin e Durrësit dhe Porto Romano.

“Si rezultat, ekonomia e Kosovës ka kursyer rreth 9 milionë euro në vit, ndërsa qarkullimi përmes këtyre porteve drejt Kosovës është rritur me mbi 40%. Kjo rritje përkthehet në efikasitet më të lartë të zinxhirëve logjistikë dhe përfitime më të mëdha për ekonomitë e të dy vendeve”.

Llugaliu nënvizoi rolin e korridoreve të gjelbra dhe procedurave të harmonizuara në përmirësimin e qarkullimit të mallrave dhe lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, duke përforcuar rolin e Doganës së Kosovës si një partner kyç në nismat rajonale dhe proceset integruese evropiane.