Kurti: Zgjerimi i rrugëve Kosovë - RMV, obligim për lëvizje të lirë dhe ekonomi
Foto: Laura Hasani

Kurti: Zgjerimi i rrugëve Kosovë - RMV, obligim për lëvizje të lirë dhe ekonomi

Aktuale November 18, 2024 - 12:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut tha se dy vendet kanë shumë të përbashkëta, por ajo më e rëndësishmja është aspirata për t’u integruar në NATO dhe BE.

Tutje, Kurti falënderoi Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e saj të vazhdueshme kundrejt Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe në integrimin në organizata tjera ndërkombëtare.

“Sigurinë e kemi të ndërlidhur, dhe sfidat mund t’i adresojmë bashkë e t’i tejkalojmë përmes angazhimit të përbashkët Procesi i Berlini është kuadri që na bashkon e na afron drejt Bashkimit Evropian Republikat tona kanë shumë të përbashkëta, por ajo që prin është aspirata për t’u bashkuar në BE dhe bashkëpunimi me NATO-n”, u shpreh Kurti.

I pari i qeverisë po ashtu shton se zgjerimi dhe ndërtimi i rrugëve ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është më se i rëndësishëm, si për lëvizje më të lirë të njerëzve, ashtu edhe për ekonominë.

“Së bashku po përmirësojnë edhe infrastrukturën. Mirëpresim përfundimit e autostradës Kosovë-Maqedoni e Veriut, edhe 10 kilometrat e fundit. Zgjerimi dhe ndërtimi i rrugëve është obligimin edhe ndaj ekonomisë, edhe ndaj lëvizjes së lirë të qytetarëve”, u shpreh Kurti.

Kurti bën me dije se kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe ai do të nënshkruajnë dy memorandume dhe një protokoll, marrëveshje këto për arsim, lëvizje të lirë dhe energji.