Tahiri: Përveç mbledhjes me ndonjë shtet fqinj, që Kosova s’mund të shtyjë asnjë agjendë diplomatike tregon për izolimin e saj
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Përveç mbledhjes me ndonjë shtet fqinj, që Kosova s’mund të shtyjë asnjë agjendë diplomatike tregon për izolimin e saj

Aktuale November 18, 2024 - 10:41

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka thënë se që nga vendosja e sanksioneve nga BE-ja, mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut është ngjarja më e madhe e Kosovës në rrafshin e jashtëm.

Tahiri ka thënë se pavarësisht se kjo ngjarje është e mirëseardhur, vetë ideja që Kosova nuk mund të shtyjë asnjë agjendë diplomatike përpara, përveç një mbledhjeje me një shtet fqinj, tregon shumë për izolimin në të cilin jemi përfshirë.

“Sot pritet të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Që nga vendosja e sanksioneve, kjo është ngjarja më e madhe e Kosovës në rrafshin e jashtëm. Pavarësisht se kjo ngjarje është e mirëseardhur, vetë ideja që Kosova nuk mund të shtyjë asnjë agjendë diplomatike përpara, përveç një mbledhjeje me një shtet fqinj, tregon shumë për izolimin në të cilin jemi përfshirë. A mund të bëhet më shumë? A mund të bëhet më mirë? Natyrisht që po. Nuk ka asnjë dyshim se MaMirë do të bëhet pas 9 shkurtit 2025”, shkroi Tahiri në Facebook.

“Më 28 qershor 2023, Bashkimi Evropian e njoftoi Qeverinë e Kosovës për vendosjen e sanksioneve, ose, nëse do t’i quajmë pak më butë, “masave”. Që nga ajo periudhë, të vetmet mjete të BE-së që shpenzohen në Kosovë janë pagat për stafin e tyre, ndërsa angazhimet e tjera janë në ‘standby’. Pamundësia për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit të BE-së si masë, është shoqëruar paralelisht me një masë edhe më të rëndë: mospërfshirjen e Kosovës si aktor dhe faktor në zhvillimet e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Tahiri.