Mot i ndryshueshëm gjatë kësaj jave, pritet borë në viset malore
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë pesë ditëve mbi vendin tonë do të mbretërojë mot i ndryshueshëm, me temperatura minimale minus katër gradë Celsius dhe maksimalet deri në 12 gradë Celsius.
Ditën e hënë do të mbretërojë mot i vranët dhe me intervale me diell. Në ultësira parashihet mjegull dhe ngrica. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 6-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.
Të martën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale diellore dhe vende-vende me mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 8-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.
Të mërkurën do të mbretërojë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 11-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtim i verilindjes me shpejtësi 1-5 metër për sekondë.
Ditën e enjte do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 3-6 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.
Të premten do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu të intensitetit të mesëm deri të lartë. Në viset e larta parashihen reshje bore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës 8-11 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi juglindjes.
Vikendi parashihet me ulje të përkohshme të temperaturave dhe me ngrica, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. /Zëri