Memli Krasniqi viziton çlirimtarët në Hagë në përvjetorin e UÇK-së: Qëndrueshmëria e tyre na frymëzon të gjithëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Hagë ku ka vizituar krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pikërisht në 30 vjetorin e themelimit zyrtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i PDK-së ka thënë se UÇK ishte lëvizja më e suksesshme popullore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
"Këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie. Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri", tha Krasniqi.
Lideri i PDK-së tha se forca dhe dinjiteti i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit përballë vështirësive, janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë.
"Në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë UÇK-në dhe të gjithë ata që bënë sakrificat më të mëdha për lirinë tonë, qëndrojmë pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe çdo patrioti që barti flakën e luftës çlirimtare. Tashmë, çdo ditë e më tepër, jemi të sigurt se: Dielli do të lind përsëri!", tha Krasniqi.