Reagon Peci pas kërkesës së PDK-së për shkarkimin e tij, i quan kriminelë e horra
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar të dielën pas kërkesës së PDK-së në një konferencë për media, që ai si ministër të shkarkohet, së bashku me deputeten Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Peci ka shkruar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook se nuk do të munden ta ndalin as me ujë e as me plumba, teksa i ka quajtur zyrtarët e PDK-së kriminelë e horra.
“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve! E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminela! Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t'iu demaskoi si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka shkruar Peci në Facebook. /Zëri