PDK-ja kërkon shkarkimin e Pacollit dhe Pecit pas skandalit të grantit prej 100 mijë eurove

PDK-ja kërkon shkarkimin e Pacollit dhe Pecit pas skandalit të grantit prej 100 mijë eurove

Aktuale November 17, 2024 - 13:38

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe ministrit Faton Peci, duke kërkuar gjithashtu që ndaj këtij të fundit të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.

Mustafa ka thënë se zbulimi i skandalit të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.

“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga institucionet e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se pas zbulimit të këtij skandali, ministri Faton Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjes së Kryetares së këtij Komisioni Fitore Pacolli, tashmë kjo e fundit nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë në raportim ministrin Peci, për shkak të rrethanave të konfliktit të interesit.

“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj.

Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, ka thënë Mustafa.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, ka thënë se skandali thellohet edhe më shumë, kur në të njëjtin afat për grante i është refuzuar përkrahja zonjës Fahrije Hoti, si njëra prej grave heroina të Krushës.

Më tej, Mustafa ka folur edhe për ngutinë e aprovimit të buxhetit të vitit 2025, pa i dhënë deputetëve kohën e paraparë për të propozuar amandamentet e tyre.

“Tash po krijohet dyshimi i bazuar se në buxhetin 2025 kanë kurdisur përfitime të tilla për njerëzit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për ta zbatuar buxhetin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se tani kur na ndajnë edhe pak muaj nga zgjedhjet, ky pushtet edhe mund ti ikë përgjegjësisë për të dhënë llogari në Kuvendin e Kosovës, por nuk mund ti ikë llogaridhënies para qytetarëve më 9 shkurt, kur edhe do të marrin verdiktin e merituar për këto abuzime të njëpasnjëshme.