Shukri Buja kërkon mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë
Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Nerodimes, Shukri Buja, ditë më parë ka marrë konfirmimin se Prokuroria ka mbyllur të gjitha hetimet nga tij.
Në një intervistë Buja ka theksuar se gjithmonë duhet të kundër-argumentohet pretendimi i prokurorisë.
Ai tha se UÇK ka bërë luftë çlirimtare e të drejtë kundër një pushtuesi, derisa kërkoi mbështetje për ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Me betejë për lirinë e popullit të Kosovës, e me betejë juridike 5 vjeçare e përshkruan jetën e vet ish-luftëtari e komandanti i UÇK-së Shukri Buja, i cili javën e kaluar triumfoi në Speciale, kur ranë poshtë të gjitha akuzat për të cilat dyshohej.
Teksa qëndron në vendlindjen e tij në Lipjan, Buja e quan këtë proces triumf të tërë luftës së UÇK-së.
“Lufta jonë juridike do të fitohet me fitoren e pafajësisë e krerëve të UÇK-së që gjinden atje. Çështja e prezencës në një sallë gjykimi bashkë me ta (isha mësuar që t’i përqafoj) nuk ishte e lehtë për mua. Ajo që më motivonte ishte se ne vet e kemi krijuar Gjykatën Speciale. Vota e parlamentarëve tanë e ka votuar, ndërkombëtarët janë duke e zhvilluar në bazë të ligjit që është krijuar këtu. Ne duhet të argumentojmë atë që po pretendon prokuroria se ne kemi bërë luftë çlirimtare dhe që lufta jonë ka qenë e drejtë kundër një pushtuesi”, tha Buja.
Në këtë proces Buja thotë se nuk e di qartë mbështetjen që vjen nga shteti i Kosovës, veçse konsideron se është një mbështetje shumë e vogël financiare.
“Jam ndier mirë që kam mundur me i dhënë shumë argumente Gjykatës se ne nuk kemi pasur një ushtri të standardeve të NATO-s. Jam mundu me argumentuar që duhet shumë kohë paqe për me organizuar një ushtri të rregullt, ndërsa ne gjatë luftës kemi pasur mungesë personeli profesional, kemi pasur mungesë logjistike e mjeteve financiare dhe në atë fazë jemi përballur drejtpërdrejtë me luftën”, theksoi ai.
Buja, pas pesë vitesh, thotë se festat e nëntorit i pret me emocion më të veçantë.
Në mungesë të provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbyllur hetimet kundër ish-komandantit të Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Bujës, ndërsa ky është rasti i parë i mbyllur për vepra penale për krime lufte të hetuara deri tash nga ZPS-ja. /rtk