Reagon Ramosaj: Doracaku për “Edukim seksual” i papranueshëm, nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla
Foto: Facebook

Reagon Ramosaj: Doracaku për “Edukim seksual” i papranueshëm, nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla

Aktuale November 15, 2024 - 16:10

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se edukimi seksual nuk duhet të jetë një burim konfuzioni për fëmijët, por siç tha ai, një ndihmë për zhvillimin e tyre të shëndetshëm fizik, emocional dhe moral, në bashkëpunim të ngushtë me familjet.

Ramosaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se doracaku i hartuar nga Ministria e Arsimit për “Edukimin seksual”, është i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Edukimi i fëmijëve tanë është një detyrë delikate, që kërkon respekt për vlerat kulturore, morale dhe familjare të shoqërisë sonë.

Vendosja e një doracaku për edukim seksual në shkolla, pa konsultim të gjerë me prindërit dhe pa respekt për vlerat e shoqërisë sonë, është një tjetër dështim i Qeverisë. Ky akt tregon një shkëputje të plotë nga realitetet dhe nevojat e vërteta të nxënësve, si dhe nga shqetësimet e familjeve.

Edukimi seksual nuk duhet të jetë një burim konfuzioni për fëmijët, por një ndihmë për zhvillimin e tyre të shëndetshëm fizik, emocional dhe moral, në bashkëpunim të ngushtë me familjet.

Doracaku i hartuar nga Ministria e Arsimit për edukimin seksual, është i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla.

Fëmijët tanë meritojnë një sistem arsimor që respekton vlerat dhe nevojat e tyre, jo një sistem që imponon ideologji të diskutueshme.