Largimi i doracakëve për edukimin seksual, Abdixhiku: Komunat e detyruan Qeverinë të ndryshoj pozicion radikalisht

Largimi i doracakëve për edukimin seksual, Abdixhiku: Komunat e detyruan Qeverinë të ndryshoj pozicion radikalisht

Aktuale November 15, 2024 - 16:04

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve ‘Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues’, të miratuar në vitin 2020. Kësisoj, MASHTI bën të ditur se mësimdhënësit dhe prindërit se doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MASHTI-t deri në përfundim të rishikimit.

Pas vendimit të MASHTI-it, një reagim e ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili thotë se komunat kanë detyruar Qeverinë të ndryshojë pozicionin, transmeton telegrafi.

“Dua të shpreh falënderim publik e mirënjohje të 9 komunave të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që refuzuan pa hezitim përmbajtjen e teksteve të Edukatës Seksuale – dhe kështu detyruan Qeverinë të ndryshoj pozicion radikalisht! Nga insistimi mbrojtës i përmbajtjes së teksteve në Kuvend, tek tërheqja e plotë e tyre”, ka pohuar ai.

Kreu i LDK-së, ka shprehur mirënjohje për komunën e Prishtinës, Pejës, Lipjanit, Istogut, Vitisë, Fushë Kosovës, Obiliqit, Junikut e Dragashit.

“Falënderoj dhe qytetarët e Kosovës për reagimin e shpejtë e të vendosur; dhe kështu bërjen qartë të orientimin e popullit të Kosovës. Pas 9 shkurtit, si Qeveri e Ndryshimit, do të përmirësojmë përmbajtjen e teksteve në fjalë në nivel nacional! Si parti e qendrës së djathtë, familja dhe fëmija do të jenë dhe të mbrojtur dhe të përkujdesur”, thuhet në reagimin e tij.

Së fundi, në opinion ishin krijuar debate të ashpra mbi përmbajtjen që kanë pasur doracakët: “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për nivele të ndryshme arsimore, duke përfshirë klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12.