Osmani thotë se Serbia dëshiron destabilizimin e Kosovës, s’ka asnjë juridiksion këtu
Presidentja Vjosa Osmani ka folur në lidhje me disa masa të ndërmarra nga Qeveria e Serbisë në lidhje me Republikën e Kosovës.
Osmani ka theksuar se Serbia nuk ka asnjë juridiksion për Kosovën që nga viti 1999.
Tutje, ajo ka vlerësuar se këto janë taktika të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën.
“Serbia nuk ka asnjë juridiksion, as gjyqësor e as territorial mbi Kosovën, që nga viti ’99. Edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur më 2008, Rezoluta 1244 ia ka marrë çdolloj juridiksioni në atë kohë Jugosllavisë dhe fillimisht ka vendosur kompetencat në kuadër të prezencës civile dhe ushtarake dhe nga viti 2008 i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës, gjë e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Këto janë tendenca, taktika të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin dhe ajo që dëshmohet më së miri përmes këtyre veprimeve është që Serbia akoma e ka mendësinë e viteve ’90, një mendësi që synon t’i destabilizojë shtetet fqinje, megjithatë realiteti është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm dhe Serbia nuk do të mundë të arrijë asgjë me këtë”, tha Osmani.