IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe pas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës”, thuhet në njoftim.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11.11.2024 në Fushë Kosovë me rastin e një ndalimi në trafik të një qytetari nga zyrtarët policorë.
Hetuesit e IPK-së në konsultim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt sqarimit të rrethanave të këtij incidenti.