Komisioni për Legjislacion e ai për Komunitete i thonë po buxhetit
Në Komisionet Parlamentare ka vazhduar shqyrtimi i projektligjit për Buxhetin i cili në lexim të parë u votua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Në mes të dyja leximeve këtij buxheti i ka dhënë dritën jeshile edhe Komisioni për Legjislacion në takimin e mbajtur sot.
Aty përveç miratimit të këtij projektligji, tutje për në seancë plenare u përcoll edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.
Edhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim e shqyrtoi Projektligjin për Buxhetin për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit.
Anëtarët diskutuan lidhur me prioritizimin e shpenzimeve, duke kërkuar që ndarjet buxhetore të jenë në përputhje me nevojat e qytetarëve.
Disa prej deputetëve propozuan amendamente që kanë të bëjnë me rritjen e buxhetit për disa sektorë, të cilat u shqyrtuan nga anëtarët e komisionit e më pas i dhanë mbështetje Projektligjit si tërësi.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe Projektligji për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror e ai për Gjykatën Administrative ku me shumicë votash miratuan ato.
Ndërkaq, buxheti i vitit 2025 ishte si pikë e vetme e rendit të ditës në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim të cilët vendosën që ta njoftojnë komisionin funksional se nuk ka amendament e as rekomandim lidhur me projektligjin për Buxhetin e Republikës. /rtk