Haxhiu në takim me krerët e sistemit të drejtësisë, flasin për reformën
Foto: Facebook

Haxhiu në takim me krerët e sistemit të drejtësisë, flasin për reformën

Aktuale November 14, 2024 - 13:43

Në një tryezë të përbashkët janë ulur sot të gjithë krerët e sistemit të drejtësisë e partnerët ndërkombëtarë.

Nikoqire e këtij takimi ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që i ftoi ata për të biseduar për Reformën në Drejtësi.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga kjo ministri që thuhet se diskutim aty pati edhe për veprimet e mëtutjeshme lidhur me paketën ligjore, gjashtë projekt-aktet normative të cilat rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve.

“Në takim është diskutuar për Reformën në Drejtësi, për veprimet e mëtutjeshme lidhur me paketën ligjore, gjashtë projekt-aktet normative të cilat rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve. Ministrja Haxhiu fillimisht falënderoi të gjithë akterët për kontributin e tyre në finalizimin e paketës së tillë ligjore dhe gjithashtu, theksoi rëndësinë e procedimit tutje, si hap tjetër i rëndësishëm i reformës në drejtësi”, thuhet në njoftimin ministror.

Gjithashtu, theksohet se mes tjerash është diskutuar për rëndësinë dhe mundësinë e konsultimit të paketës ligjore me Komisionin e Venedikut, marrë parasysh edhe rekomandimet e Raportit për Vendin.

“E tërë kjo po bëhet në mënyrë që paketa ligjore të jetë në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë për këtë takim.