Edhe 697 banka tjera gjermane korrigjojnë gabimin, Kosova do të figuroj si shtet i pavarur
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka njoftuar se pas Deutsche Bundesbank dhe Commerzbank, Republika e Kosovës do të figurojë si shtet i pavarur edhe në 697 banka tjera gjermane pjesë e Volksbanken Raiffeisenbanken.
Ajeti ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm pas korrigjimit të një gabimi që kishte lidhur gabimisht Kosovën me Serbinë ose nuk e kishte përfshirë fare në sistemet e disa bankave gjermane.
“Ky përmirësim erdhi pas reagimeve të qytetarëve dhe angazhimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, duke përfshirë ambasadën e Kosovës në Gjermani”, ka shkruar ambasadori.
Procesi i përditësimit të të gjitha sistemeve bankare të këtyre institucioneve do të zgjasë disa muaj dhe pritet të përfundojë në prill të vitit 2025.
Ambasada e Kosovës inkurajon çdo qytetar që të hasë gabime të ngjashme, të kontaktojë me ta përmes emailit [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, për të mundësuar korrigjimin e tyre.