10-vjeçarja me nevoja të veçanta mbetet jashtë bankave shkollore
Një nxënëse e klasës së katër e cila është me nevoja të veçanta ka mbetur jashtë bankave të shkollës “Pjeter Bogdani”. Prindërit akuzojnë shkollën se nuk po pranojnë, nga shkolla thonë se fëmija ka të drejtë të vijë dy herë në javë sipas raportit vlerësues të lëshuar nga Komuna e Prishtinës. Por me ketë raport nuk pajtohen prindërit, prandaj nuk po e dërgojnë.
Shtëpia është vendi i vetëm ku tash e disa ditë po mëson.
Nxënësja e klasës së katërt Bora Raçi e cila është me nevoja të veçanta, ka mbetur jashtë bankave të shkollës “Pjetër Bogdani”.
10-vjeçarja në muajin maj të këtij viti, së bashku me prindërit, kishte emigruar në Gjermani.
Por ajo u kthye në tetor, pasi atje ishin ilegalisht.
E që nga 20 tetori, sipas prindërve, vajza e cila është me nevoja të veçanta nuk po pranohet në shkollën ku kishte mësuar për 3 vjet.
“Kemi qenë në diasporë për 5-6 muaj dhe na kanë kthy. Na kemi dëshiruar që vajza ta vijojë mësimin në shkollën e vet ku ka vijuar me përpara mësimin. Po na lypin një diagnozë, qajo diagnoza më herët qajo vlen tonë jetën nuk ndryshon diagnoza”, shprehet Mentor Raçi, prindi i vajzës.
Por me pretendimet e familjes Raçi nuk po pajtohet Nexhemedin Sejdiu, drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani.”
Sipas tij vajza pas kthimit nga Gjermania kishte filluar të vinte në shkollë.
Drejtori i shkollës nuk ka pranuar të flas para kamerës por i njëjti ka thënë se vajza ka të drejtë të vijë dy herë në javë në bazë të raportit të lëshuar nga ekipi komunal për vlerësim pedagogjik.
Madje sipas këtij raporti vlerësues, vajzës i është rekomanduar tri herë në javë të dërgohet në qendrën burimore “Përparimi”, në të cilën mësojnë fëmijët me nevojat të veçanta.
Por këtë raport nuk po e pranojnë prindërit, prandaj kanë vendosur të mos e dërgojnë fare.
Sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaja, vendimi për respektimin apo jo të këtyre rekomandimeve i takon prindërve.
“Vendimi përfundimtar për respektim apo mos respektim të vlerësimit komunal i takon prindërit apo kujdestarit. Mirëpo në rastet në të cilat ky vendim i prindërit e cenon mirëqenien e fëmijët atëherë padyshim përfshihet qendra për punë sociale”, thotë Qehaja.
Tëvë 1 ka kërkuar sqarim edhe nga Drejtoria e Arsimit por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.