Presidenca jep detaje rreth takimit të Osmanit me komandantin e KFOR-it
Presidentja Vjosa Osmani mbrëmë është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Presidenca, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në këtë darkë pune, Osmani dhe Barduani kanë diskutuar çështjen e sigurisë në vend.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës, përcjell Zeri.info.
Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë linjë, presidentja Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë. Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023”, thekson kumtesa.
Ndër të tjera, në këtë takim, presidentja Osmani dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. /Zëri