Diaspora “vota e artë” për zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Diaspora “vota e artë” për zgjedhje

Aktuale November 14, 2024 - 09:28

Vota e diasporës po shihet si votë e artë nga partitë politike në Kosovë. Madje qeveria “Kurti”, duket se po bën përpjekje që të marr kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të organizuar zgjedhjet e 9 shkurtit në diasporë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por për të dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje, gjatë ditës nuk ishte e qasshme as Ministria e Punëve të Jashtme e as KQZ-ja.

Ish-anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, tha se kjo është hera e parë që një qeveri tenton të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin e zgjedhjeve.

“Nuk është aspak dhe asnjëherë punë e as përgjegjësi e saj që të merret me çështje që ndërlidhen me zgjedhjet, kjo është përgjegjësi absolute e KQZ-së dhe kjo konsiston me garantimin e ushtrimit të të drejtës së votës për të gjithë shtetasit tonë, sikur për ata që jetojnë në vend aahtu edhe për ata që jetojnë në diasporë. Kjo qasje e qeverisë, është tendencë e hapur dhe direkte e saj për të ndërhy në autorizimet kushtetuese të KQZ-së duke provuar që në mënyrë dinake të gllabërojë kompetencat e një institucioni të pavarur siç është KQZ”, tha Dushi.

Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vlerësohet si e pavend dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin zgjedhor edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Drejtori i këtij instituti, Ehat Miftaraj, thotë se nëse ndodh një gjë e tillë, votat e diasporës do të konsiderohen të pavlefshme.

“KQZ do të duhej të mbronte pavarësinë e saj. Ligji për zgjedhjet e përcakton në mënyrë të qartë që është vetëm KQZ autoritet që organizon zgjedhjet. Në këtë rast shkelet parimet bazë dhe çdo ndërhyrje nënkupton që procesi zgjedhor do të kontaminohet dhe nëse kjo ndodh Gjykata Supreme në bazë të ankesave të partive politike mund t’i shpall të gjitha këto vota të pavlefshme. Duhet që partia në pushtet ta mendoj këtë skenar”, tha Miftaraj.

Me kërkesën e dikasterit ministror të udhëhequr nga ministrja Gërvalla, analisti politik, Arton Demhasaj, vlerëson se u vulos tendenca manipuluese e kësaj Qeverie.

“Tendenca e Ministrisë së Punëve të Jashtme është tendencë e pastër e manipulimit të zgjedhjeve me votën e diasporës përmes mundësive që ata po dojnë me kriju për me manipulu votën e diasporës. Kjo tendencë është për me shku tek një ngjyrë politike dhe ministrja e dimë çfarë ngjyre politike bartë”, tha Demhasaj për Rtv21.

Sipas nenit 139 të Kushtetutës, vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, edhe më herët ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale.