QKSS: Rusia investon ta paraqesë Kosovën si shtet të dështuar
Kosova që nga pas lufta është cak i ndikimeve ruse dhe se ky shtet investon në fushata të ndryshme për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar. Kështu u tha në konferencën me temën “Ndikimi i aktorëve të huaj në sigurinë kombëtare”, e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në bashkëpunim me zyrën “Konrad Adenauer Stiftung” (KAS).
Hulumtuesja e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Jeta Loshaj, ka thënë se Kosova që nga paslufta ka qenë cak i sulmeve të Rusisë dhe se në mungesë të bashkëpunimit ekonomike dhe politik atë e ka bërë përmes dezinformatave.
Sipas saj, Rusia përmes propagandës po mundohet ta thyejë konsensusin ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës.
“Në këto 20 vjetët e fundit Kosova ka qenë cak i sulmeve të Rusisë, posaçërisht tani me zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës... Ajo çka e dëmton më së shumti Kosovën është se dëshiron ta e thyej konsensusin ndërkombëtarë për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe këtë e bënë përmes propagandës... Në këtë mënyrë Rusia investon në fushata të ndryshme ta paraqes Kosovën si shtet të dështuar dhe të tregoj se perëndimi ka dështuar në Kosovë“, ka theksuar ajo.
Gjetjet e raportit të QKSS-së, nxjerrin në pah katër narrativat kryesore të përdorura nga Rusia të cilat e konsiderojnë Kosovën si shtet jo legjitim, kritikojnë ndërhyrjen perëndimore dhe përdorin dezinformimin për të forcuar objektivat e saj të sigurisë. Sipas gjetjeve, Rusia ka qenë i informuar edhe për sulmin terrorist në Banjskë së Zveçanit që ndodh në shtatorin e vitit të kaluar.
Ekspertja e politikës ruse në Ballkan, Hajdi Xhixha, ka thënë se për minimizimin e ndikimit rusë në Kosovë dhe Shqipëri duhet shtrëngim i marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në.
“Duhet të fokusohemi më shumë në partneritetin ekonomik dhe politik me BE dhe aleatët tanë. Kam propozuar që Kosova duhet ta forcojë aleancën me aleatët ballkanikë. E përkrahë shumë që me i përforcuar marrëdhëniet me Shqipërinë për një strategji të përbashkët për të minimizuar ndikimin e Rusisë në vendet tona”, ka thënë ajo.
Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka folur për ndikimin rus në Kosovë u shpreh se Kosova nuk ka një strategji përmes të cilës do t’i përgjigjej çështjes së narratives ruse.
“Jemi shumë reaktiv sa i përket Rusisë asnjëherë nuk kemi qenë proaktiv dhe të provojmë të merremi me narrativen e saj në nivel të Kombeve të Bashkuara, por edhe OSBE që Rusia është anëtare. Këto dy organizata janë shumë të rëndësishme posaçërisht Kombet e Bashkuara dhe OSBE, pra nuk e kemi një strategji që do të merrej me çështjen e narratives ruse”, ka thënë ai.
Përfaqësuesi i përhershëm i “Fondancionit Konrad-Adenauer” në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Daniel Braun, ka theksuar rrezikun që ka Kosova nga kërcënimet e jashtme.
“Kosova ende përballët me kërcënime nga jashtë dhe kjo është edhe për problemet e pazgjidhura me fqinjin Serbinë dhe pjesë e kësaj loje dhe viktimë e provokimeve nga akterë të jashtë në regjion dhe sigurisht njerëzit duhet të jenë të brengosur se me çfarë sfidave dhe rreziqe po përballemi… Pas luftës po duket se nuk ka përfunduar të gjitha ne duhet t’i fuqizojmë kapacitet ushtarake”, ka theksuar ai.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, është shprehur se Kosova nuk është e izoluar nga dezinformatat dhe idetë e liga. /rtk