Sulmi fizik në MKRS, Çeku: Do t’i ndërmarrim veprimet e nevojshme
Foto: Laura Hasani

Sulmi fizik në MKRS, Çeku: Do t’i ndërmarrim veprimet e nevojshme

Aktuale November 13, 2024 - 13:32

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sekretari i kësaj ministrie Xheladin Krasniqi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht zyrtarin Miftar Latifi.

Rasti bëhet e ditur se është raportuar edhe në Polici.

Ministri Hajrulla Çeku ka thënë se aktualisht janë duke i marrë informacionet lidhur me rastin dhe duke i kontrolluar ato.

“Besoj edhe Policia po e kryen pjesën e saj, që është shumë e rëndësishme në këto raste”, tha ai.

Çeku tha se dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme, pa marrë parasysh rrethanat.

“Nuk mundem me dhënë më shumë informata sepse edhe unë jam duke marrë informata në çdo minutë e në çdo orë. Por, ajo se çfarë di me siguri që dhuna si sulmi fizik janë të pa pranueshme, të pa tolerueshme dhe të dënueshme. Askush pa marrë parasysh kontekstin apo rrethanat nuk ka të drejtë të përdor dhunë ndaj dikujt tjetër sidomos brenda institucioneve të shtetit, kështu që në momentin që i kemi informata e sakta se çfarë ka ndodhur do të ndërmarrim të gjitha veprimet e mundshme”, tha ai,në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës. /EO