Mungon Nuredin Lushtaku, shtyhet gjykimi në rastin “Veteranët”
Foto: Laura Hasani

Mungon Nuredin Lushtaku, shtyhet gjykimi në rastin “Veteranët”

Aktuale November 13, 2024 - 12:19

Në mungesë të të akuzuarit Nuredin Lushtaku, ka dështuar seanca e së mërkurës në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, përveç Lushtakut, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Lidhur me këtë mungesë e të akuzuarit Lushtaku, gjykata u njoftua sot përmes mbrojtësit të tij, avokatit Tahir Rrecaj, i cili tha se i njëjti nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme për arsye shëndetësore, duke shtuar se përmes e-mailit gjykatës ia ka dërguar edhe vërtetimin mjekësor të të mbrojturit të tij, raporton“Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri tha se për të vërtetuar një gjendje ndryshe faktike duhet të angazhohet një ekspertizë, por e njëjta është shumë e kushtueshme.

Gjithashtu, gjyqtari Bahtiri tha se kjo zvarritje është e qëllimshme.

“Në pamundësi për tu mbajtur shqyrtimi i sotëm, duhet të caktojmë një datë tjetër që të presim edhe raportin origjinal. Tani kjo është, jo vetëm për gjykatën por edhe për juve si palë zvarritje e qëllimshme”, shtoi gjyqtari Bahtiri.

Andaj, në mungesës së kushteve ligjore, seanca e planifikuar për sot u shty për një datë tjetër.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.