Konjufca pranoi raportin njëvjeçar të Institutit të Krimeve të Luftës

Konjufca pranoi raportin njëvjeçar të Institutit të Krimeve të Luftës

Aktuale November 12, 2024 - 19:23

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pranuar sot raportin njëvjeçar të punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Dorëzimi i raportit u bë nga Drejtori Ekzekutiv i institutit, Atdhe Hetemi, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media.

Gjatë këtij takimi, thuhet se kryekuvendari Konjufca theksoi rëndësinë që ka puna e këtij instituti për të dokumentuar të vërtetën e krimeve të luftës së shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke qenë se kjo i shërben faktimit të historisë, përgjigjes ndaj mohimit dhe fshehjes që Serbia i bën krimeve të saj, si dhe hapjes së rrugës për vendosjen e drejtësisë.

Drejtori ekzekutiv, Atdhe Hetemi e njoftoi kryekuvendarin Konjufca me punën e deritanishme të institutit, me sfidat dhe të arriturat që priten në vazhdim“

Kryekuvendari Konjufca e përgëzoi drejtorin Hetemi për punën e madhe të bërë deri tani nga ky institut në grumbullimin e materialeve dhe tha se kjo shënon një hap domethënës e të domosdoshëm të faktimit të sistemuar.

Duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e çështjes, kryetari Konjufca ofroi të gjithë mbështetjen e nevojshme ndaj institutit, në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mëdha në plotësimin e këtij synimi aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë. /Zëri